in

Vatikani i dhuron AQShF-së filmime mbi Nënë Terezën

 

Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit, pasurohet me mëse 10 orë material filmik mbi Nënë Terezën, dhuratë nga Qendra Televizive të Vatikanit, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes

Tiranë, 25 gusht 2010 – Sipas agjencisë shqiptare të lajmeve, ATSh, më se 10 orë materiale filmike nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës, të pashfaqura për publikun shqiptar, i janë shtuar së fundmi Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, si dhuratë nga Qendra Televizive të Vatikanit, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Lajmin e bëri të ditur Elvira Diamanti, drejtoreshë e AQSHF-së, dje paradite në një aktivitet të organizuar në kinemanë e sapo rikonstruktuar pak javë më parë të kësaj qëndre.

Për të pranishmit nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës shqiptare u shfaqën rreth 45 minuta të përzgjedhura nga jeta e vepra e shqiptares Gonxhe Bojaxhi, në një përmbledhje kohore, që niste me veprimtaritë bamirëse në Kalkuta të Indisë, shoqërimin që i bëri Papa Gjon Palit II-të kur Ai vizitoi Shqipërinë në prill 1993, takimet me ish-Presidentin Sali Berisha si dhe personalitetet e tjera shqiptare.

Drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti falënderoi Ambasadën Shqiptare në Vatikan, e cila kontribuoi në mbledhjen dhe dërgimin e materialeve. Ndërsa shkrimtari Besnik Mustafaj i pranishëm në takim e konsideroi Nënë Terezën si “përfaqësuesen më të denjë të urtësisë së popullit tonë”, ndërsa përmendi detaje të takimit të parë me Nënë Terezën në fillim të vitit 1991.

Materialet filmike që bëjnë tashmë pjesë në pasurinë arkivore të AQSHF-së, në kuadër të politikave të pasurimit arkivor shtetëror si dhe vitit 2010, i shpallur si viti jubile i Nënë Terezës, i janë  dorëzuar Ambasadës Shqiptare në Vatikan nga Qendra Televizive pranë Selisë së Shenjtë në fillim të muajit mars.

Gjithashtu, Arkiva Qendrore Shtetërore e Filmit, bëri të ditur se materiale të tjera filmike të përzgjedhura, do të shfaqen në javët vijuese për publikun, ndërsa sot ato do “udhëtojnë” drejt qytetit të Beratit.

Nesër, më 26 gusht, projektimet filmike do të rikthehen në Tiranë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ndërsa gjatë paradites së datës 6 shtator, pjesë të përzgjedhura nga materiali filmik prej 10 orësh, parashikohet të transmetohen për të rinjtë e kryeqytetit.

Lexo edhe: Nënë Tereza, veprimtari të ndryshme në 100-vjetorin e lindjes

 

Fatkeqësi në punë: në gjendje të rëndë një i ri shqiptar

“Shqipëria vend shenjtorësh”, risia e Bibliotekës kombëtare