in

Votuesit dhe spektatorët e 25 qershorit

Lista e votuesve është shumë më e gjatë se ajo e shqiptarëve me të drejtë vote rezidentë në Shqipëri. Rreth 1,3 milion e personave të saj do të jenë thjesht vëzhgues të zgjedhjeve

 

Romë, 21 qershor 2017 – Nuk e teprojmë aspak po të pohojmë se për çdo dy shqiptarë që mund të shkojnë të votojnë, do të jetë një i tretë që mundet vetëm të vëzhgojë nga larg procesin parësor të një demokracie, atë të zgjedhjeve. Në këto kushte vazhdon të mbetet Shqipëria edhe tani, në vitin 2017, pas shumë premtimesh të pambajtura të viteve të shkuara.

Janë shifrat zyrtare që flasin qartë e që pohojnë këtë të vërtetë.

Ministria e Brendshme përditësoi në fund të muajit maj listën e votuesve (duke shtuar të gjithë at që mbushin moshën madhore në 7 ditët e shtyrjes së datës së votimit). “Të drejtën e votës e kanë 3.452.308 shtetas. Ndër ta, 136.651 zgjedhës votojnë për herë të parë.  51% e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49% femra” shkruhet aty. Por veç numrit të votuesve për herë të parë, numrit të meshkujve dhe të grave, do të ishte me interes në rastin e Shqipërisë të thuhet edhe sa prej personave në listë jetojnë në Shqipëri e sa të tjerë jo. Por si gjithnjë, mungon kjo shifër e rëndësishme që përcakton edhe kush mund e kush nuk mund të votojë. Sepse nëse ata që jetojnë në Shqipëri e kanë qendrën e votimit pak metra larg shtëpisë, kush jeton jashtë e ka të pamundur të ushtrojë të drejtën e votës pa u kthyer në vendlindje. Dhe këta janë vërtet shumë, mbi një të tretën e zgjedhësve në listë.

Nuk është e vështirë të arrish në këtë përfundim. Nga të dhënat e fundit INSTAT, më 1 janar 2017, në Republikën e Shqipërisë jetojnë 2.876.591 banorë. Po të heqim të miturit, pra personat e grupmoshave 0-17 vjeç (rreth 633 mijë vetë) dhe një tjetër 2%, apo 44 mijë, që sipas të dhënave të OKB-së janë të huaj me lejeqëndrim në Shqipëri, del se nga lista e votuesve e ministrisë së Brendshme vetëm 2 milionë e 200 mijë jetojnë në Shqipëri. Mbi 1 milion e 250 mijë jetojnë jashtë, janë emigrantë, që nëse duan të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës, duhet të marrin në rrugë të gjatë.

Gjatë kësaj fushate të zbehtë nga pikëpamja e paraqitjes së programeve, me thënë të vërtetën, emigrantët nuk u gënjyen shpesh si herën e shkuar kur të gjithë i ftonin të shkonin në Shqipëri e t’i votonin në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, sepse do të ishte herë e fundit që u duhej të shkonin në atdhe, pas 4 vjetëve do t’u jepej mundësia të jepnin votën atje ku jetonin. Këtë radhë, me emigrantët nuk u bë shumë fushatë, asndonjë përpjekje e veçantë për t’i bindur për të votuar këtë apo atë parti. Kryeministri Rama – i cili që në Samitin e Diasporës e pohoi se premtimi elektoral nuk do të mbahej pasi akoma nuk është bërë regjistrimi i popullsisë jashtë vendit (pse nuk u nis asnjëherë deri tani?) – nga fillimi i majit i ftoi emigrantët, që edhe nëse nuk do të shkojnë dot, t’u telefononin 10 personave në atdhe për t’u mbushur mendjen të shkojnë të votojnë. Edhe Basha e tha në një nga mitingjet e tij se ai do t’u sigurojë emigrantëve të votojnë atje ku jetojnë herën e ardhshme. Por nuk pati ndonjë këmbëngulje të veçantë në këtë drejtim.

Tashmë është bërë refren banal “ejani në Shqipëri e na votoni këtë radhë, se pas katër vjetëve votën do ta jepni aty ku jetoni” e pakkush beson që i njëjti nuk do të përsëritet edhe pas katër vjetëve, e pas katër vjetëve akoma.

Keti Biçoku

 

Fushata e çuditshme elektorale e Ramës, Bashës e Metës

“Të zhgënjyer nga mosmbyllja e procesit teknik për sigurimin e votës emigrantëve”