Në një klimë tejet të ndezur politike, kanë nisur procedurat parlamentare për zgjedhjen e personit që do të zërë vendin e Bujar Nishanit, mandati i të cilit përfundon më 24 korrik të këtij viti
Tiranë, 20 prill 2017 – Mungesa e kandidatëve për president ka çuar në dështimin e raundit të parë të procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë.
Komisioni i ligjeve u mblodh dje sipas çka parashikon rregullorja e Kuvendit dhe përcaktoi se asnjë kandidat nuk është paraqitur. Në këto kushte Komisioni në zbatim të Kushtetutës, i paraqiti seancës plenare këtë raport me qëllim mbylljen e procedurave për raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit.
Në seancën e posaçme të Kuvendit, kryetari Ilir Meta ka lexuar kushtet që parashikon ligji për zgjedhjen e Presidentit dhe më pas i ka kaluar fjalën kryetares së komisionit parlamentar të ligjeve Vasilika Hysi, e cila lexoi raportin ku deklarohet se nuk ka asnjë kandidat për President.
“Komisioni u mblodh sot sipas përcaktimeve të rregullores së kuvendit. Komisioni përcaktoi se asnjë kandidat nuk është paraqitur. Në këto kushte, Komisioni në zbatim të Kushtetutës, i paraqet seancës plenare këtë raport me qëllim mbylljen e procedurave për raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit”, tha Hysi.
Kështu, Ilir Meta u shpreh se raundi i parë konsiderohet i ezauruar ndërsa Konferenca e Kryetarëve që u mblodh menjëherë pas seancës vendosi që seanca e ardhshme për zgjedhjen e Presidentit të zhvillohet sot në orën 15:00.
Lexo edhe:
Afatet e procedurat për zgjedhjen e Presidentit
Presidentët e Shqipërisë demokratike, nga Alia te Nishani