in

Zgjedhjet e 8 majit raportohen në PE

Komisioni për çështjet e jashtme në Parlamentin Europian diskutoi sot për zhvillimet politike në Shqipëri dhe zgjedhjet vendore të 8 Majit. Gjatë kësaj mbledhje, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe deputetët që ishin të pranishëm në Shqipëri gjatë zgjedhjeve dhanë konkluzionet e tyre, aspak pozitive, veçanërisht për dy javët që pasuan ditën e votimeve. Delegacioni shpreh kritika për KQZ-në dhe mbështet shpresat në Kolegjin Zgjedhor

25 maj 2011 – Kreu i delegacionit, Eduard Kukan, që është edhe kryetar i delegacionit për marrëdhëniet me vendet e Evropës juglindore, shpjegoi se ç-ndodhi në Shqipëri: “Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë paqësore, pati disa përmirësime të ndjeshme, ashtu siç thanë dhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it. Basha kërkoi që të merren në konsideratë votat e hedhura gabimisht. KQZ mori vendim 4 me 3, gjë që shkaktoi debate. Situata politike u tensionua pas vendimit të KQZ-së për të numëruar këto vota. Opozita nisi protestat dhe vendosi të largohet nga Parlamenti. Ambasadorët po vazhdojnë të bëjnë diplomaci me dyer të mbyllura duke kërkuar vetëpërmbajtje. Pas numërimit, Basha fitoi me 81 vota. Vendimi përfundimtar do të jepet nga Kolegji Zgjedhor. Kjo do të thotë se procesi nuk ka mbaruar akoma.
Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje do të thotë se njerëzit duan zhvillimin dhe integrimin, por Shqipëria është përfshirë nga mosbesimi politik dhe polarizimi i lartë. Në këto zgjedhje duhet të ishte treguar maturi politike nga liderët. Politika është e paaftë që të ketë një dialog politik dhe për të pasur një zgjidhje konsensuale. Kam frikë se zgjedhjet nuk do të ndihmojnë Shqipërinë të kalojë amullinë politike në të cilën ndodhet”.

Michail Tremopoulos, deputet i PE-së, pjesë e delegacionit që vëzhgoi zgjedhjet, foli për probleme gjatë ditës së votimit, ku evidentoi probleme me bojën: “Unë e përdora vetë bojën dhe për 10 minuta arrita ta hiqja atë”, votimin familjar dhe fotografimin e votës: “Njerëzit mund të votonin afër njërit-tjetrit, burri dhe gruaja mund të votonin në të njëjtën kohë, kjo ndodhte edhe në raste të tjera. Kemi parë njerëz duke përdorur celularët për të biseduar ose për të marrë foto për votën që kishin hedhur”.

 Nikolaos Chountis, raportuesi për Shqipërinë në PE, bëri thirrje për ndërhyrje për zgjidhjen e situatës së tensionuar, duke paralajmëruar se mund të krijohet një situatë shpërthyese. “Kemi dëgjuar për shkelje të ligjit elektoral dhe ky është vetëm një aspekt i problemit. Do të rekomandoja që të thjeshtëzohet procesi elektoral, pasi kjo do të përsëritet dhe nuk do të largohen asnjëherë tensionet dhe rezultati do të kontestohet. Jeta politike duhet të bëhet më demokratike. Duhet të presim për një rezultat përfundimtar në Shqipëri. Ne duhet t’u themi partive politike se duhet të respektojnë njëra-tjetrën dhe të kenë dialog për largimin e Shqipërisë nga kjo situatë politike. Zgjedhjet nuk e kaluan krizën politike, ndoshta i hodhën më shumë benzinë zjarrit”.

Deputeti rumun Victor Bosnitaru, tha se ligji në Shqipëri po zbatohet me dy standarde, pasi mazhoranca nuk pranoi të hapë kutitë për zgjedhjet e 2009-s, ndërsa tani kjo ndodhi. Ai foli edhe për manipulim të rezultatit me anë të numërimit të votave të kontestuara. “Në 18 maj, pas një votimi 4 me 3 në KQZ, edhe pse nuk ishte miratuar një vendim, u vendos të hapeshin kutitë. Baza ligjore për të hapur kutitë e votimit ishte e paqartë për OSBE/ODIHR. Mbështetja në ligj e veprimeve të KQZ-së është një çështje shqetësuese. Herën e kaluar kur socialistët kërkonin hapjen e kutive, Berisha tha se është e papranueshme sepse nuk e lejon Kushtetuta. Rroftë Kushtetuta, duhet ta pranojmë, por tani kjo nuk duket e tillë. Qeveria vendosi të rihapë vetëm kutitë e votimit në Tiranë, por vetëm disa, që vetëm një parti të fitonte. Procedurat janë të paprecedente. Në një qendër votimi u gjetën më shumë fletë votimi se sa votues. Si është e mundur që kjo mrekulli të ndodhë në Tiranë. Ekspertët e BE-së presin që procedura e apelimit të jetë transparente dhe e ndershme sipas kornizës ligjore ekzistuese”.

Basha kryetar i Bashkisë së Tiranës{br}Reagimet

Pasaportat biometrike{br}Në Romë tërhiqen dokumentet e kërkuara javën e parë