in

Zgjedhjet. Rreth 250 mijë italianë të rinj, votojnë herë të parë. Vendimtarë në Lombardi

Janë emigrantët e bijtë e tyre që kanë marrë shtetësinë italiane në pesë vjetët e fundit. “Kush i ka harruar për vite, rrezikon ta paguajë shtrenjtë” pohon Luciano, administrator i shtëpisë botuese ‘Stranieri in Italia’

Romë, 22 shkurt 2013 – Nëse Obama u detyrohet amerikano-latinëve për rikonfirmimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, edhe Kryeministri i ardhshëm i Italisë do të duhet të falënderojë një ushtri të vogël zgjedhësish me prejardhje nga mbarë bota.

Janë italianët e rinj që të dielën e të hënën do të votojnë për herë të parë në Belpaese. Zgjedhës dhe zgjedhëse që kanë ardhur në Itali si migrantë, apo breza të dytë: bij emigrantësh të lindur e të rritur këtu. Janë ata që zgjedhjet e fundit ishin thjesht shikues e dëshmitarë, sepse akoma të huaj, sot kanë marrë shtetësinë dhe më 24 e 25 shkurt do të mund të zgjedhin kë do të qeverisë vendin.

Sa janë? Rreth 250 mijë. Shifër në të cilën arrihet duke zbritur nga numri i përgjithshëm i personave që kanë marrë shtetësinë këto pesë vjetët e fundit (2008-2012) një kuotë prej 20% që u referohet të miturve. Nuk janë shumë, por tani për tani janë vetëm pararoja e një ushtrie që në vitet e ardhshme veç do të rritet. Që mund të luajnë një rol veçanërisht vendimtar në zonat ku do të mjaftojë edhe një grusht vota për të kaluar bilancën në njërën apo tjetrën anë.

Është rasti i Lombardisë. Zona ku rezultati nuk është akoma i parashikueshëm e si e tillë më e rëndësishmja e këtyre zgjedhjeve, është në fakt edhe krahina me përqendrimin më të lartë të emigrantëve (rreth një e katërta e të gjithë të huajve në Itali), e për rrjedhojë, edhe me numrin më të lartë të italianëve të rinj. Ata që do t’u drejtohen qendrave të votimit për herë të parë do të jenë rreth 60 mijë, të mjaftueshëm për të qenë vendimtarë në fitoren e njërit apo tjetrit kandidat, qoftë në sfidën për Parlamentin, qoftë në tjetrën për Krahinën (që ka mes dy sfidantëve kryesorë, edhe kreun e Legës, ish ministrin e Brendshëm Roberto Maronin).

“Të gjithë ata që për viteme radhë i kanë harruar këta zgjedhës, duke i konsideruar thjesht emigrantë, shpesh duke i diskriminuar e persekutuar, me sa duket i kanë bërë hesapet pa hanxhinë” komenton Gianluca Luciano, administrator i shtëpisë botuese ‘Stranieri in Italia’. “E rrezikon ta paguajë shtrenjtë atë gabim”.

Quando Grillo insegnava ai carabinieri come pestare i marocchini

Benedikti XVI. Papa nga anë e migrantëve