Komiteti për 100 vjetorin e Pavarësisë ka përzgjedhur si projekt fitues të monumentit, atë të kosovarit Visar Obrija dhe gjermanit Kai Roman Kiklas.
Tiranë, 24 prill 2012 – “Monument që përshtatet me një shesh dhe mjedis urban jo shumë të madh dhe që i afron qytetarët rreth vetes”. Kështu është vlerësuar nga anëtarët e Komitetit për 100 vjetorin e Pavarësisë, boceti i kosovarit Visar Obrija dhe gjermanit Kai Roman Kiklas, që është përzgjedhur i pari mes 5 pretendentëve në garë.
Boceti që do të jetë edhe monumenti i 100 vjetorit të Pavarësisë, ka marrë qoftë vlerësimin e jurisë ndërkombëtare, qoftë votat e publikut.
Projekti i propozuar nga bashkëpunimi mes dy arkitektëve, kosovarit Visar Obrija dhe gjermanit Kai Roman Kiklas, frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare. Për autorët, banesa shqiptare ka shërbyer si shtëpi dhe fortifikim njëherësh duke u bërë simbol kombëtar i qëndresës në shekuj. Për të shprehur idenë e pavarësisë ata sjellin një ndërtesë të hapur e cila paraqitet si dy gjysma kubi ku njëra gjysmë mban çatinë dhe tjetra platformën. Kjo strukturë është menduar e lartë, e gjatë dhe e gjerë prej tetë (8) metrash dhe njerëzit mund të kalojnë lirisht përmes hapjes së saj. Në faqet e brendshme anësore të monumentit do të ketë elementë të vizatuar me lazër si: Deklarata e Pavarësisë, simboli kombëtar i shqiponjës dhe figura njerëzore. Hapja e banesës simbolizon çlirimin e kombit shqiptar dhe kapërcimin nga izolimi drejt lirisë dhe pamjen nga e ardhmja.