in

Shqipëria mpaket e plaket për shkak të emigracionit

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë së më 1 janar 2014 popullsia e Shqipërisë është 2.895.947 banorë, rreth 170 mijë vetë më pak se në janar të vitit 2001. E meqë shtesa natyrore është pozitive, mbi 200 mijë, e janë kthyer rreth 100 mijë emigrantë kjo do të thotë se rënia e popullsisë ka ardhur për shkak të emigracionit të ri, që në vitet 2000 kap shifrën 470 mijë vetë

26 maj 2014 – Më 1 janar 2014 Shqipëria ka 2.895.947 banorë, 1.459.963 meshkuj dhe 1.435.984 gra. Këto janë të dhënat që Instituti statistikor i vendit ka deklaruar ditët e shkuara. E nëse këto shifra në vetvete nuk thonë asgjë, janë shqetësuese ato çka tregon tabela me ecurinë e popullsisë në vite sipas grupmoshave.

Nga viti 2001 deri më sot, popullsia e Shqipërisë pëson tkurrje të vazhdueshme: në fakt më 1 janar 2001 popullsia ishte 3.063.320 banorë dhe çdo vit bëhet më e ulët se pararendësi. E ndërsa mpaket, popullsia e Shqipërisë edhe plaket nga viti në vit gjë që e tregon rritja e numrit të personave të grupmoshës nga nga 60 vjeç e lart e rënia e numrit të personave me moshë deri në 24 vjeç. Nga të dhënat e INSTAT-it vërehet që fëmijët e të rinjtë deri në moshë 24 vjeç janë pakësuar nga 1.428.777 që ishin më 1 janar 2001 në 1.041.101 në të njëjtën datë të këtij viti. Ndërsa numri i të moshuarve mbi 60 vjeç ka shkuar nga 340.391 (1 janar 2001) në 491.998 (1 janar 2014).

Të dhënat të shtyjnë të shikosh ecurinë e lindjeve, vdekjeve dhe të shtesës natyrore në vite. Nga të dhënat INSTAT, të përditësuara deri në fund të vitit 2011, vërehet që numri i lindjeve pëson rënie të fortë (nga 53.205 lindje të vitit 2001 në 34.285 të vitit 2011), ndërsa ai i vdekjeve mbetet thuajse i pandryshuar në vite (nga 19.013 të vitit 2001 në 20.012 të vitit 2011). Në të gjitha vitet ama mbetet pozitive shtesa natyrore e popullsisë, lindjet janë më të shumta se vdekjet, por edhe kjo ka rënë ndjeshëm: në vitin 2001 shtesa natyrore ishte 34.192, ka arritur minimumin në vitin 2008 me 12.696, dhe është rritur nga pak për të arritur në vitin 2011 në 14.273.

INSTAT – Popullsia e Shqipërisë në vite (shtyp mbi tabelë për ta zmadhuar):

Të gjitha bashkë, të dhënat e INSTAT-it dëshmojnë se shoqëria shqiptare po ndryshon ndjeshëm, gjë që ka pasojat e veta edhe në të gjitha aspektet e jetës në vend. Shqiptarët bëjnë më pak fëmijë, jetojnë më gjatë e kjo shpjegon plakjen e popullsisë.

Fakti që shtesa natyrore është pozitive, që në vitet 2001-2011, gjithnjë sipas INSTAT-it, janë kthyer rreth 96 mijë vetë nga emigracioni (kryesisht nga Greqia dhe Italia) e në të njëjtën kohë popullsia e Shqipërisë zvogëlohet shpjegohet vetëm me emigracion të ri. E nga të dhënat e INSTAT-it, duket qartë që dukuria e emigracionit vazhdon të ndikojë fort në shoqërinë shqiptare dhe se nga viti 2001 kanë lënë vendin të paktën 470 mijë vetë për të cilët INSTAT nuk jep asnjë të dhënë mbi vendin ku ata zgjedhin të shkojnë. Kjo shifër del në dritë po të mbajmë në konsideratë faktin që më 1 janar 2014 Shqipëria ka rreth 170 mijë vetë më pak se ç’kishte më 1 janar të vitit 2001 dhe se vetëm në vitet 2001-2011 Shqipëria duhet të ishte rritur falë shtesës natyrore me rreth 204 mijë vetë, dhe me 96 mijë falë shqiptarëve të kthyer nga emigracioni.

Në një popullsi prej rreth 3 milionë banorësh, braktisja e vendit nga të paktën 470 mijë vetë, në vitet 2001-2011, është një dukuri që duhet të shqetësojë fort qeverinë e gjithë klasën politike shqiptare, që duhet të ndërmarrë politika serioze jo vetëm për të tërhequr shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, për kthimin e të cilëve flitet gjithnjë e më shumë, por sidomos për të frenuar emigracionin, plagë që duket se nuk po ndalet.

Keti Biçoku / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Triumfon PD. Në Bruksel edhe Kyenge: “Do përfaqësoj Italinë me pasion e krenari”

Çeku familjar. Edhe imigrantëve për gjithë vitin 2013