As një vit pas përmbytjeve të dimrit të shkuar, përsëri nën ujë lagje të Shkodrës dhe komuna të ndryshme të rrethit. Situata është e jashtëzakonshme, mbi njëmijë shtëpi të rrethuara nga uji, mijëra hektarë tokë bujqësore e përmbytur dhe mëse 500 vetë janë larguar nga banesat e tyre
Shkodër, 2 dhjetor – Qeveria shpalli dje gjendjen e fatkeqësisë natyrore në rrethin e Shkodrës, që prej gati 10 ditësh është përfshirë nga moti i keq. Situata e përmbytjeve në këtë rajon është përkeqësuar gjatë 24 orëve të fundit për shkak të reshjeve intesive. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri njoftoi se parashikimet sinoptike flasin për reshje të dendura në dy javët e para të dhjetorit, ndaj dhe masat e emergjencës do të jenë afatgjata.
ATSh bën të ditur se mëse 500 familje nga zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës janë evakuar deri sot në mbrëmje në mjedise të posaçme, si hotele e konvikte, të vëna në dispozicion nga shtabi i emergjencës në prefekturën e këtij qarku në veri të vendit. Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, që kanë nxjerrë nga shtrati ujrat e lumenjve Buna dhe Drin si dhe kanë tejfryrë liqenin e Shkodrës, janë përmbytur 7780 hektarë tokë bujqësore, ndërsa 1190 shtëpi janë të rrethuara nga uji.
Sipas të dhënave zyrtare të shtabit të emergjencës në Shkodër, të bëra publike në mbrëmje, situata më kritike e përmbytjeve paraqitet në komunat Dajç, Ana e Malit, Bërdicë, Guri i Zi dhe Bushat. Ka zona të përmbytura dhe në periferi të qytetit të Shkodrës, si në lagjet Livadhe, Ajasëm, Xhabie dhe Bahçallëk. Rritja e nivelit të ujit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës ka rënduar situatën e përmbytjes në Shkodër, ndërsa qarkullimi i mjeteve në Xhabie, që shërben si dalje nga qendra e qytetit, është bërë problematik. Ujit ka depërtuar mbi trotuar, madje, në disa segmente të rrugës, edhe brenda disa dyqaneve dhe lokaleve.
Alfred Luleta, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashki, tha për ATSH-se se fryerja e liqenit ka bërë që kanalet kulluese të mbingopen me sasitë e mëdha të ujit dhe për momentin nuk janë në gjendje të shkarkojnë.
Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, i cili është edhe kryetari i Komisionit të Emergjencës Civile pranë kësaj prefekture, tha se “gjatë 24 orëve të fundit, sasia e shiut në rrethin e Shkodrës është në 38 ml”. Sipas tij, rezulton të jetë i bllokuar qarkullimi në aksin kombëtar rrugor Shkodër-Tiranë në zonën e harkut të Berdicës. Bllokimi i kësaj zone pengon qarkullimin edhe në drejtim të komunave të Dajçit, Berdicës dhe të Velipojës. Të bllokuara janë edhe akset rrugore të këtyre komunave, ashtu siç është e bllokuar edhe komuna e Anës së malit, në fshatin Obot.
Në statistikat që disponon prefekti Cungu, krahas evakumimit të familjarëve të rrezikuar nga përmbytja, numri i të cilëve ka shkuar në njëmijë, një kujdes i është treguar edhe evakuimit të gjësë së gjallë. Sipas Cungut, “deri tani janë evakuar gjithsejt 5060 krerë të imta, të trasha, si dhe derra, të cilët janë sistemuar në objekte të sigurta duke i ofruar edhe bazën ushqimore të duhur”.
Në zonat malore të rrethit të Shkodrës, Cungu, tha se akset rrugore janë të kalueshme me vështirësi ose të pakalueshme.
Është i kalueshëm me vështirësi aksi rrugor Shkodër-Kiri, Mali i Shoshit-Komuna Shalë. Ndërkohë, aksi rrugor, Bogë-Shalë është i pakaluaeshëm dhe aksi rrugor Breg Lumi-Theth është i pakalueshëm. Ndërsa, për rrethin e Malësisë së Madhe, Cungu bëri të ditur se aksi rrugor Tamarë-Vermosh është i kalueshëm me vështirësi, ndërsa aksi rrugor Tamarë-Vukël është i pakalueshëm nga shembjet dhe po punohet për zhbllokimin e tyre. Në rrethin e Pukës, si rezultat i shembjes së dherave, rezulton që aksi rrugor Fushë Arrëz-Iballë, të jetë i pakalueshëm, ndërkohë që specialistët e rrugëve po punojnë për zhbllokimin e tyre.
Ashtu si edhe gjatë përmbytjeve të dimrit të shkuar, eksponentët e mazhorancës dhe të qeverisë, kryeministri Berisha (që një vit më parë fliste për një rast të jashtëzakonshëm, që ndodhte njëherë në 100 vjet, që kishte të bënte me pozicionin e hënës e të tjera si këto), kryeparlamentarja Topalli, ministri i Brendshëm Basha, flasin fatkeqësi natyrore, ndërsa për opozitën situata e përsëritur dëshmon dështimin e qeverisë Berisha.