in

Scanderbeg e Parmës nis vitin e ri shkollor

Për të shtatin vit, shoqata Scanderbeg e Parmës u ofron fëmijëve të imigrantëve shqiptarë mësimin e gjuhës shqipe dhe dhënien e disa njohurive nga historia, gjeografia e kultura shqiptare.
Ja një reportazh i shkurtër nga dita e parë e mbledhjes së fëmijëve në shkollën shqipe Scanderbeg të Parmës

Scanderbeg e Parmës nis vitin e ri shkollor

Të dielën, më 11 tetor, në qendrën “Laboratorio Famiglia” në Parma u mbajt ceremonia e nisjes të vitit të ri shkollor 2015-2016.

Fjalën e hapjes e mbajti mësuesja e ciklit të ulët Aurela Lashi e cila mbasi u dha mirëseardhjen nxënësve, prindërve dhe të afërmve të fëmijëve, foli mbi rëndësinë e këtij misioni fisnik dhe lëndët që zhvillohen në shkollën tonë. Pas saj, mësuesit e tjerë folën për lëndët e tyre dhe mënyrën e organizimit të vitit shkollor.

Mes tyre edhe Durim Lika, përgjegjës i shoqatës Scanderbeg Parma për shkollën. Veç të tjerash, ai bëri edhe një panoramë të përgjithshme të historisë shumëvjeçare të shkollës me anë të një prezantimi multimedial. Në emër të shoqatës ai falënderoi të gjithë mësuesit, të tanishmit e ata të viteve të shkuara, që sot për motive të ndryshme nuk bashkëpunojnë më.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Pirro Qendro përfaqësues i shoqatës italo-shqiptare “La Svolta” me dëshirën për të marrë eksperiencë për nisjen e një kursi të gjuhës shqipe edhe në Bolonja ku komuniteti shqiptar është i konsiderueshëm në numër.

Gjatë takimit u rikonfirmuan mësuesit e vitit që shkoi Erlinda Hoxha, Aurela Lashi, Sonila Otobashi,  Mimoza Cerri, Durim Lika dhe Elvira Lashi dhe u krye regjistrimi i 30 fëmijëve të moshave të ndryshme. Mësimi do të nisë më 18 tetor dhe do të vazhdojë çdo të diel deri në fund të majit 2016, me orarin 10.00-12.00.

Lexo edhe: Shkolla shqipe “Scanderbeg Parma”, ja si funksionon

Album fotografik nga ceremonia e 11 tetorit:

 

CCA porta l’Albania a “Fa’ la cosa giusta! Torino”

Shtetësia italiane. Për të miturit nuk do të paguhet kontributi prej 200 eurosh