Në kohët moderne të rrjeteve sociale, lind në Facebook një faqe me informacione për refugjatët e bllokuar në Greqi si të mund të vazhdojnë rrugën e të mbërrijnë në Itali përmes Shqipërisë
Megjithëse ka katër javë që është krijuar, vetëm para dy ditëve është bërë e njohur faqja në Facebook e krijuar posaçërisht për rrugë të tjera alternative që duhet të ndjekin refugjatët tashmë të bllokuar ne Greqi pas mbylljes së “Korridorit ballkanik”, që kalonte në kufirin me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Lajmin e jep Aleksandër Marku për Top Channel.
Faqja në fjalë titullohet “Transit Albania&Italia” dhe jep udhëzime sesi refugjatët duhet të drejtohen për në Doganën e Kakavijës, më pas drejt qytetit të Vlorës dhe prej andej në brigjet italiane që janë veçse 70 km larg. Në fund të udhëzimeve, që janë edhe në gjuhën arabe, thuhet në menyre karakteristike “Gjej trafikantin tënd lokal”.
Në faqen në fjalë publikohen hartat me këto rrugë që të çojnë drejt Italisë, në të cilat madje shkruhen edhe koordinatat gjeografike. Përveç faqes së Facebook-ut, trafikantët kanë krijuar edhe një llogari në Twitter ku përgjithësisht informojnë për të njëjtat rrugë alternative nëpërmjet Shqipërisë drejt Italisë.
Informacioni përfshin gjithë pikat e kampeve ku ndodhen refugjatët në Greqi, sidomos në Veri të vendit dhe më pas doganat shqiptare të Kakavijës dhe Kapshticës, rrugët drejt Vlorës apo Fierit për të ikur më pas drejt Otrantos.
Mediat greke kanë bërë me dije në mbrëmjen e së mërkurës se shumë refugjatë në Idomeni kanë marrë edhe mesazhe me udhëzime për të ndjekur këto rrugë të udhëhequr nga trafikantët, por ky informacion nuk është konfirmuar deri tani.
Gjithashtu, disa ditë më parë, sipas FAZ, refugjatët ishin njoftuar se përveç Shqipërisë dhe rrugës detare të Adriatikut, që mund të përdornin kundrejt një pagese nga 3000-5000 euro, mund të shfrytëzonin rrugët detare nga portet turke apo greke drejt Italisë me anije tregtare apo peshkarexha dhe përveç Athinës, një port tjetër do të ishte edhe ai i Gumenicës.
A. Marku, Top Channel