Treqind punonjës të huaj, njëqind prej të cilëve sezonalë, kaq është nevoja e punonjësve nga jashtë e llogaritur nga krahina Friuli Venezia Giulia për vitin 2011.
Një shifër sigurisht shumë më e ulët se në të shkuarën (dekreti i flukseve në vitin 2007 i caktoi këtij rrethi 6 mijë punonjës), por për të cilën Ministria e punës do mbajë parasysh në shpërndarjen e kuotave.
“Vlerësimi për vitin 2011 është bërë duke mbajtur parasysh kërkesat e ndryshme të bizneseve” shpjegoi këshilltari rajonal për çështjet e Punës, Angela Brandi. Këtyre u është shtuar “verifikimi i pranisë apo jo në territorin rajonal të punonjësve jokomunitarë, të subjekteve që kanë hyrë në territor nëpërmjet bashkimeve familjare ose të ardhur nga rajone të tjera, dhe të punonjësve komunitarë që nuk janë pjesë e mekanizmit të flukseve”.
Në këto llogaritje, është shprehur këshilltarja, duhet mbajtur parasysh “kriza e përgjithshme”. Pra sipas Angela Brandi-t, është më mirë t’i jepet përparësi rifutjes së “punonjësve italianë dhe jokomunitarë të goditur nga kriza dhe nga rritja e treguesit të papunësisë e të nxjerrjes në asistencë, të cilët mund të merren nga ndërmarrjet vendase për të plotësuar nevojat e tyre profesionale”.
Pra Friuli Venezia Giulia i mbyll dyert hyrjeve të reja, por Angela Brandi dhe anëtarët e tjerë të juntës duket se injorojnë faktin që flukset janë edhe një mundësi për t’u pajisur me dokumente qëndrimi. Shumë prej kërkesave të punësimit që do të paraqiten nga bizneset dhe familjet friulane janë për punonjës pa dokumente që jetojnë në këtë rreth. Krahë pune që, po të mos jepen kuota, do të mbeten në të zezë.
Elvio Pascia