in

Shkolla shqipe Scanderbeg në Parma hap dyert për të dhjetin vit radhazi

Reportazh i ditës së parë i përgatitur nga vetë mësuesit e shkollës 

Pas festimeve të javës së shkuar me aktivitetin kushtuar Nënë Terezës, të dielën më 30 shtator në ambientet e Laboratorio Famiglia Oltretorrente del Comune di Parma, rifilloi aktiviteti i shkollës Shqipe Scanderbeg duke rihapur dyert për të dhjetin vit radhazi.

 

Në orën 10.00 oborri i shkollës u mbush me nxënësit, fëmijë të komunitetit shqiptar dhe jo vetëm. Edhe pse mësuesit ishin të përgatitur për një fluks të madh të fëmijëve pjesëmarrës, qendra që për vite na mikpret nuk mjaftoi. Përveç prindërve, fëmijëve entuziastë, nismën tonë erdhën për ta përshëndetur edhe këshilltarja e komunës së Parmës Nadia Buetto, Përgjegjësja e Laboratorit Familja për qytetin e Parmës, Alida Guatri, Mjeshtri i Sportit dhe president i Festival Internazionale dei Giovani, Carlo Devoti, dhe profesoresha e gjuhëve në Universitetin Oriental të Napolit, Camelia Sanda.

Fjalën e hapjes dhe mirëseardhjen e dha Durim Lika drejtori i shkollës Shqipe Scanderbeg Parma. Ai falënderoi pjesëmarrësit por mbi të gjitha prindërit e komunitetin shqiptar në Parma për angazhimin, ndërgjegjësimin dhe kujdesin e treguar mbi rëndësinë që i dhanë aktivitetit të shkollës shqipe. Falënderoi të gjithë mësuesit që kanë kontribuar ndër vite dhe institucionet lokale për mbështetjen konstante. Edhe këtë vit do të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Forum Donne Indipendenti pjesë e stafit drejtues të të cilit janë edhe disa mësuese të shkollës sonë ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve të grupit të valleve “Mille Stelle” janë nxënës të shkollës sonë. Pastaj fjalën ia la mësuesve të shkollës të cilët u prezantuan dhe folën mbi projektin e shkollës për këtë vit.

Më pas përshëndeti Këshilltarja e Komunës së Parmës e cila theksoi punën e jashtëzakonshme që komuniteti shqiptar zhvillon në brendësi të shoqërisë parmixhiane dhe është shembull edhe për komunitetet e tjera. Ju jeni shembulli më i mirë dhe ndjeshmëria që ju tregoni mbi rrënjët e gjuhën e kulturën tuaj është frymëzuese edhe për vetë ne italianët. Ajo premtoi që do të jetë e gatshme për të mbështetur projektin tonë dhe uroi fillim të mbarë mësuesve e nxënësve të shkollës.

Alida Guatri përgjegjëse e qendrës të administruar nga shoqata “Liberamente” ku zhvillohet mësimi falënderoi e përgëzoi stafin e mësuesve dhe drejtorin e shkollës për shembullin që japin dhe ftesën, komunitetin shqiptar, për shpirtin e tyre bashkëpunues si dhe qëllimin madhor që ky projekt edukimi mbart më vetvete.

Më pas fjalën e mbajti mjeshtri i sportit Carlo Devoti i cili theksoi rëndësinë e edukimit të brezave të rinj, rëndësinë e njohjes së mirë të vendit amë dhe bashkë-ndarja e konfrontimi mes të rinjve si mënyra më e mirë për të rritur qytetarë të rinj e bashkëkohor. Ndër vite ka bashkëpunuar me të rinj artistë shqiptar dhe përgëzoi dëshirën dhe vitalitetin që këta të rinj paraqesin, mënyrën se si ata paraqiten e bashkëpunojnë me të rinj të kombeve të ndryshme. “Arti dhe kultura shqiptare është shumë e pasur dhe megjithatë ju shqiptarëve ju duhet shumë punë dhe këmbëngulje që të nxirrni në pah dhe të kërkoni me ngulm promovimin tuaj në të gjithë botën e për ato që nuk ju njohin”.

Profesoresha Camelia Sanda e Universitetit të Ovidius di Constanta në Rumani dhe profesoreshë e Universitetit Oriental të Napolit theksoi rolin dhe rëndësinë që ka mësimi i gjuhës amtare për fëmijët. “Jo vetëm që nuk e frenon zhvillimin e nxënësit por përkundrazi e bën atë më të fortë dhe më përgjegjës sepse menjëherë truri i fëmijës pasi dëgjon fjalën duhet të mendohet të përgjigjet në gjuhën amtare apo atë italiane sipas pyetjes” theksoi ajo. Ajo foli edhe lidhjet e përjetshme që kanë shqiptarët me rumunët duke përmendur emigracionin e hershëm të shqiptarëve në Rumani dhe muzikën e himnit shqiptar, kompozuar nga rumuni Ciprian Porumbesku.

Pas ceremonisë së hapjes së vitit shkollor, nxënësit filluan orën e parë të mësimit gjatë të cilës për grupin fillestar punuan mësueset Aurela e Erlinda dhe për grupin e dytë mësueset Mimoza dhe Beatrice.

Francesca De Vita arkeologe e cila ka dhënë një kontribut të madh në restaurimin e Amfiteatrit të Butrintit do të frekuentojë shkollën tonë për dashurinë e madhe që ka për Shqipërinë. Të rejat Sara e Roberta ndihmuan në shpërndarjen e materialeve didaktike për fëmijët dhe organizuan një banket të ofruar nga prindërit dhe të gjithë së bashku festuam ditën e parë të shkollës.

Në përfundimin e mësimit të gjithë prindërit dhe mësuesit u mblodhën për paraqitjen organizative të shkollës dhe zgjedhjen e përfaqësuesve të prindërve.

“Skuadra fituese nuk ndërrohet” u shprehën të pranishmit në sallë duke falënderuar Petrit Mehdiun dhe Shpresa Qerajn për korrektësinë e punën e madhe në bashkëpunim me mësuesit. Me këmbëngulje nga prindërit u rikonfirmuan Petrit Mehdiu, Shpresa Qeraj. Këshillit të prindërve iu shtuan edhe dy prindër të tjerë të zgjedhur nga të pranishmit Eglantina Veseli dhe Armand Qosja duke e çuar në katër këtë ekip me përgjegjësi për bashkëpunim të mirë mësues-prindër.

U regjistruan mbi 40 nxënës të cilëve do t’u jepet mësim nga 9 mësues në bashkëpunim të ngushtë me Forumin Donne Indipendenti e grupin e valleve ” Mille Stelle” me mësuesen Loreta Shahini.

Mësuesit e shkollës falënderojnë prindërit dhe komunitetin shqiptar në Parma, Komunën e Parmës për mbështetjen, Forum Donne Indipendenti për bashkëpunimin! Prindërit Hamdi dhe Aurora Bardhi për sponsorizimin e çantave të shkollës, Prindërit Namik dhe Daniela Çurumi për sponsorizimin e materialet didaktike, Arjana Kosovën, Danaida Delajn dhe Anila Ferizajn për ndihmën që dhanë për furnizimin me abetaret dhe librat e gjuhës nga Ministria e Arsimit.

Parma, 30/09/2018

Link to origin. La nota artista kosovara Majlinda Kelmendi per la prima volta a Roma

Shtyhet Samiti i dytë i Diasporës