Artisti i njohur shkodran, Adrian Paci, prej vitesh në Itali, rikthehet në vendlindje pas 15 viteve me ekspozitën e tij vetjake me titull “Kthim në shtëpi”
Tiranë, 25 shtator 2011 – Deri më 10 tetor, artdashësit shkodranë kanë mundësi të shijojnë disa nga punimet e artistit Adrian Paci, që rikthehet në vendlindjen e tij pas 15 viteve me ekspozitën e tij vetjake me titull “Kthim në shtëpi” (Back Home).
Vetë Paci thotë se në punimet e kësaj ekspozite pasqyron dinamikat e Shqipërisë këto vitet e fundit. “Kam marrë realitetin e Shkodrës, realitetin e Shqipërisë, ashtu si edhe realitetin e emigracionit në përgjithësi, si një shtysë për të kërkuar, hulumtur tema më të mëdha që kanë të bëjnë me situatën njerëzore në përgjithësi”, tha Paci.
Drejtori i Galerisë së Arteve, piktori Artan Draçini, tha se “veprat e tij, që kanë njohur një sukses të gjerë ndërkombëtar, vënë në dukje temat e mëdha të eksperiencës njerëzore, reflektojnë mbi nomadizmin dhe problematikat e kulturës emigruese, eksplorojnë identitetin e individit në një shoqëri ‘in constant motion’, pohojnë empatinë ndaj asaj pjese të ‘paqëndrueshme, të cenueshme, e të brishtë’ të qënies bashkohore”.
Disa nga veprat e ekspozuara në galerinë e Shkodrës janë ekspozuar më përpara në Bienalen e Venecias, në MOMA-n e New York, në Galleria Civica di Modena, në Modena, Kunsthaus Zǜrich, Muzeum of Modern Art Istanbul, në Contemporary Arts Museum, Houston, etj.
Paci u lind në 1969 në Shkodër në një familje me traditë artistësh. Ai studioi në Akademisë Arteve, ndërsa në 1997 la Shqipërinë për të vijuar karrierën e tij në Itali. Sot është ndër artistët bashkëkohorë më të vlerësuar.
Shkarko: Adrian Paci, artisti global