Konfindustria e Shqipërisë tashmë ka edhe zyrën e saj në Itali. Qyteti i Torinos është vendi ku kjo konfindustri do të zhvillojë aktivitetin e saj në shtetin italian
Romë, 10 tetor 2011 – Konfindustria e Shqipërisë tashmë ka edhe zyrën e saj në Itali. Përurimi i zyrës është bërë me pjesëmarrjen e autoriteteve lokale italiane dhe shqiptare të pranishëm në Torino si dhe prezencën e presidentit të zyrës së Konfindustrisë Shqiptare në Itali, Giovanni Firera. I pranishëm ishte edhe Presidenti i Konfindustrias Shqiptare, Ing. Hajredin Fratari.
Vetë presidenti i Konfindustrisë Shqiptare në Torino, Giovanni Firera, që deri disa vite më parë ka qenë Konsull Nderi i Shqipërisë në Torino, vlerësoi punën e bërë më parë mes dy palëve. “Ne kemi pasur dhe kemi një qëllim të përbashkët që është afrimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë mes ndërmarrjeve shqiptare dhe atyre italiane. Kjo do të rrisë më tepër mundësinë mes njohjeve të dy vendeve tona si dhe do të sjellë një rritje ekonomike për të dyja palët, pasi përfitimi mes ndërmarrjeve është i ndërsjellë”, ka theksuar Firera.
Sipas Fratarit, hapja e zyrës në Torino është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë. “Ne kemi patur mundësinë që të bashkëpunojmë edhe më parë, por sot arritëm që zyrtarisht të konfirmojmë këtë bashkëpunim të fortë mes dy palëve”, ka shtuar në fjalën e tij Fratari.
Gianguido Passoni, këshilltar për buxhetin tha se qyteti i Torinos beson shumë në bashkëpunimin ekonomik me jashtë, edhe me vendet që janë në rrugë drejt BE-së, siç është Shqipëria.
“Sot është një ditë e rëndësishme”, nënvizoi Këshilltari krahinor i Pdl-s, Roberto Tentoni, “sepse u hap një “urë” midis Italisë dhe Shqipërisë, që favorizon të gjitha shkëmbimet midis dy vendeve”.
Këshilltari Andrea Stara ka siguruar që krahina e Piemontes është e nderuar me këtë arritje, që përfaqëson një mundësi më shumë për zhvillime në sektorët ekonomik.