Romë, 21 tetor 2011 – Bashkëpunimi në kuadrin e integrimit Europian, organizmave ndërkombëtare dhe veçanërisht OKB, bashkëpunimi rajonal, ai ekonomik, tregtar, teknologjik e kulturor si dhe dialogu ndërmjet aktorëve joqeveritare, ishin disa nga çështjet kryesore gjatë tryezës së zhvilluar më 20 tetor në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, për ecurinë e bashkëpunimit në zbatim të Deklaratës së Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, dokument-kuadër i rëndësishëm, i nënshkruar mes dy vendeve në shkurt të vitit 2010.
Në takimin e 20 tetorit, pala shqiptare u kryesua nga zëvendës ministri i Punëve të Jashtme Selim Belortaja, ndërsa pala Italiane nga Drejtori i Përgjithshëm Europën në MPJ të Italisë, ambasadori Mario Bova.
Gjatë takimit u diskutua edhe për progresin e deritanishëm të bashkëpunimit, si dhe u shqyrtuan mundësitë për identifikimin e fushave dhe koordinimin e projekteve me prioritet në sektorët e energjisë, transportit, bujqësisë etj. U nënvizua gjithashtu nevoja e thellimit dhe e konkretizimit të projekteve, si dhe përshpejtimit në miratimin dhe zbatimin e tyre.