in

Elton Kalica. Nga burgu në Cie

Elton Kalica, i burgosuri që për vite shkroi në gazetën “Ristretti Orizzonti”  të burgut Due Palazzi të Padovës, më 25 tetor mbaroi dënimin e tij. 14 vjet e tetë muaj.  Shpresonte që pas shlyerjes së borxhit që kishte me shoqërinë, të gëzonte më në fund lirinë, por e gjeti veten të mbyllur në një qendër identifikimi e dëbimi

Romë, 27 tetor 2011 – “Tashmë burgu mori fund edhe për mua. E ndërsa mezi pres të rizbuloj botën, mbyll një kapitull të gjatë e të përvuajtur të jetës sime me bindjen që, ashtu si kujtimet e bukura të jetës sime janë kthyer në gomë shpëtimi në periudhat më të këqija të burgut, edhe në momentet e pashmangshme kur jeta “e lirë” do të më trajtojë keq do të kujtoj burgun, personat që më kanë dashur, betejat e fituara dhe ato të humbura, lotët dhe gëzimet e këtyre viteve dhe jam i sigurt që do të rigjej forcat për të ecur përpara, siç kam bërë deri tani. E burgu nuk do të jetë më një makth nga ku t’ia mbath, por një mësim jete që do të mbaj gjithnjë në mendje në betejën e përditshme të jetës”.

Këta rreshta shkruante në ditarin e tij më 25 tetor Elton Kalica, 35 vjeçar shqiptar i mbyllur për thuajse 15 vjet në burgun e Padovës. Pikërisht atë ditë la pas krahëve dyert e burgut, për të nisur një jetë si njëri i lirë, për të shijuar lirinë e mohuar për 15 vjet të gjatë, për të fjetur më në fund në “një krevat të vërtetë”, “për të shijuar botën” siç shkruante në ditarin e tij të botuar nga gazeta e burgut me të cilën aktivizohej prej vitesh. Asgjë nga këto nuk arriti të gëzojë: kundër çdo parashikimi, me të dalë nga burgu u shoqërua në Cie, apo e thënë ndryshe në qendrën e identifikimit e të dëbimit të Modenës.

Ajo që duhej të ishte një ditë lumturie për të, u kthye në një tjetër makth, të cilin nuk e di ende për sa kohë do të zgjasë. Brenda të enjtes, 27 tetor (sot), një gjyqtar duhet të vendosë për konvalidimin e masës së marrë ndaj tij për shkak të një padie për zënie të vitit 2003, por nga e cila ishte shpallur krejtësisht i pafajshëm.  Aq sa Gjykatësi i Mbikëqyrjes i kthyer edhe 45 ditët e uljes së dënimit, që fillimisht i ishin hequr për shkak të atij denoncimi.

Elton Kalica ka kaluar në burg thuajse 15 nga 35 vjetët e jetës së tij. Ishte i ri 20 vjeçar kur u arrestua, të martën, më 25 tetor doli nga burgu burrë: pas një burgosjeje të kaluar për kohë të gjatë mes librave, apo në redaksinë e Ristretti Orizzonti për të cilën shkruante rregullisht. Kalica është ndër ata pak të burgosur që ka ndjekur universitetin dhe është diplomuar.

E pasi shleu një më një të gjithë borxhin ndaj shoqërisë, çfarë e priti? Një formë e re burgosjeje, në të ashtuquajturat qendra të identifikimit e dëbimit që shpesh janë quajtur ndryshe edhe lager.

Greqia u heq pensionin 3.500 të moshuarve shqiptarë

Elton Kalica. Minutat e fundit pas hekurave