in

Jahjaga: “Bërja e Shqipërisë një shekull më parë, rrëfimi më i suksesshëm i historisë kombëtare”

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e 99 vjetorit të Ditës së Flamurit Kombëtar

Tiranë, 26 nëntor 2011 – Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve të saj dhe në emrin e saj, presidentja Atifete Jahjaga ka uruar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e 99 vjetorit të Ditës së Flamurit Kombëtar.

“Bërja e Shqipërisë gati një shekull më parë dhe stabilizimi i saj përgjatë kësaj periudhe përbën rrëfimin më të suksesshëm të historisë sonë kombëtare. Shtet-bërja dhe shtet-ndërtimi i Kosovës pothuaj njëqind vjet më vonë dhe kontributi e përkrahja e Shqipërisë në këtë proces jetësor është kapitulli më i ndritur i kësaj historie”, thekson Presidentja Jahjaga në këtë urim.

“Shqipëria sot është një vend demokratik, me vlera të qëndrueshme të civilizimit evropian, që kontribuon në stabilitetin dhe paqen në rajon dhe botë, me vizion dhe përkushtim të qartë për idealin e integrimit euroatlantik. – vazhdon Jahjaga në mesazhin e saj – Jam e bindur që ky rrugëtim i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe përparimi që institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë po shënojnë çdo ditë, do të kurorëzohet së shpejti me sukses”.

“Jam e përkushtuar të japim shembullin e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe të sinqerta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe të ecim drejt këtij ideali tonë të përbashkët, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarët tanë do të gëzojnë prosperitetin që e meritojnë”, përfundon mesazhi i urimit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

 

Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë, në Tiranë për festimin e Pavarësisë

Topi: “Komuniteti shqiptar në Itali, urë e fortë lidhëse mes dy vendeve”