in

Shqipëria në darën e acarit dhe ngricave

I ftohti i acartë dhe ngricat kanë goditur Shqipërinë nga Veriu në Jug duke krijuar jo pak probleme në qarkullimin e automjeteve në akset kombëtare, dhe në furnizimin  me energji elektrike të ndonjë zone

Kukës

Reshjet e dëborës dhe temperaturat mjaft të ulëta kanë mbërthyer rajonin e Kukësit që prej disa ditësh. Në qytetin e Kukësit, trashësia e dëborës dje ka arritur në 10 cm, ndërsa në zonat e thella malore deri në 30 cm. Temperatura mesatare mbetet minus 5 gradë celsius. Reshjet e dëborës dhe era e fortë ka sjellë probleme në komunat Shishtavec, Zapod, Arrën, Grykë Çajë dhe Kalis, të cilat janë izoluar plotësisht. Burime të shtabit të emergjencave në Prefekturën e Kukësit thonë se situata po mbahet nën kontroll dhe deri tani nuk ka pasur situata emergjence humanitare apo shëndetësore. Problem mbetet segmenti i autostradës nga dalja lindore e tunelit të Kalimashit deri në Fushë-Dukagjin, ku qarkullimi ka qenë më i vështirë, pasi deri në mesditë aty nuk ishte hedhur asnjë lopatë me kripë, ndonëse në lartësinë e tunelit 800 m mbi nivelin e detit, për shkak të temperaturës së ulët që zbret deri në minus 10 gradë C, asfalti i autostradës ka zënë një shtresë të hollë akulli që fshihet nën dëborë, duke u kthyer në rrezik për aksidente.

Mungesa e reshjeve gjatë orëve të natës dhe puna e kryer nga mjetet borëpastruese kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e situatës në zonën verilindore. Tashmë ka vetëm fshatra të veçuar të izoluar si në zonën e Arrnit, Grykë Cajës, Kalisit , ndërsa akset rrugore që lidhin qendrat e komunave me akset kryesore rrugore janë të kalueshme.

Reshjet e dendura të dëborës së një dite më parë bënë që një numër i madh mjetesh të angazhoheshin për rihapjen e akseve rrugore. Kështu 9 mjete borëpastruese u angazhuan në segmentin e autostradës, 4 mjete në aksin rrugor Kukës -Qafë Shllak, 2 mjete në aksin rrugor Kukës-Draj Reç, 5 mjete në akset rrugore të Tropojës dhe 2 mjete në aksin rrugore Krumë-Kukës.

Gjatë ditës së sotme është vërejtur edhe një ngritje e lehtë e temperaturës. Në zonën verilindore, ajo shkon nga -5 deri 3 gradë celsius. Ndërsa mungesa e reshjeve ka bërë që dëbora në shumë akse rrugore të shkrijë tërësisht, gjë që shihet edhe në akset rrugore të qyteteve të zonës verilindore.

Për shkak të reshjeve të mëdha dhe erërave të forta në zonën verilindore janë vërejtur mungesa e energjisë elektrike. Aktualisht energjia elektrike mungon në fshatin Kalis të rrethit të Kukësit dhe në fshatin Cahan të rrethit të Hasit.

Festat jashtë shtetit? Në Pragë hotelet më të shtrenjta

Me kufje e telekamera në provimin e patentës. Denoncohet