in

Skënderbeu i qeverisë Monti jep dorëheqjen

Hija e parë për qeverinë Monti me dorëheqjen e nënsekretarit të kryeministrisë, Carlo Malinconico Castriota Scanderbeg. Rreth 4 vjet më parë ai kishte pushuar në një hotel luksoz, faturën e të cilit e kishte paguar ndërtuesi Francesco De Vito Piscitelli, sot nën hetim për korrupsionin me tenderat e G8 dhe të L’Aquilas pas tërmetit

Romë, 11 janar 2012 – Ka dhënë dorëheqjen nënsekretari i Qeverisë Monti, Carlo Malinconico, emri i plotë i të cilit është Carlo Malinconico Castriota Scanderbeg, që tregon qartë prejardhjen e tij arbëreshe. Vendimin e ka marrë pas polemikave të ndezura në media mbi një lidhje të tij të mundshme me ndërtuesit nën hetim për korrupsionin lidhur me tenderat e G8 dhe të L’Aquilas pas tërmetit.

Praktikisht, Carlo Malinconico ka pranuar pagimin e faturës, prej rreth 20 mijë euro, të qëndrimit të tij në një hotel luksoz në Toskanë (hotel Pellicano në Porto Ercole në Argentario) nga Francesco De Vito Piscitelli, aktualisht nën hetim. Ngjarja është e majit 2008, kur Malinconico nuk ishte në qeveri, sot asgjë nuk provon që ai u ka bërë favore ndërtuesve të përfshirë në hetime për tenderat e “veprave të mëdha”. Megjithatë nënsekretari ka dhënë dorëheqjen “në interes ë vendit” siç u shpreh ai vetë. Gjë që u njoftua dje me një deklaratë shtypi të Qeverisë: “Mario Monti priti në mëngjes sekretarin e Shtetit, i cili dha dorëheqjen për të mbrojtur më mirë imazhin dhe nderin e tij dhe gjithashtu për të ruajtur besueshmërinë dhe efektivitetin e veprimit qeveritar”.

Rasti i Malinconicos kujton atë të ministrit Scaiola të qeverisë Berlusconi, me shtëpinë e tij pranë Koloseut në Romë. Një shtëpi që sipas deklaratave të vetë ministrit “nuk dinte se kush ia kishte paguar një pjesë”.

Nga sot gjoba më të rënda për shkelësit e rregullave të qarkullimit

Zija Saraçi. Mall për skenat shqiptare