Mbi librin me kujtime të shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqi “Koha e Kujtimeve”. “Kurrë s’kisha përjetuar një ankth të tillë për fatin e protagonistëve të persekutuar”
Nga Zef Skiro Di Maxho, poet dhe dramaturg arbëresh
Lëvizja e parë që lexuesi arbëresh bën, sapo ka në dorë librin Koha e kujtimeve, është ajo të shkojë te faqja e Përmbajtjes në kërkim të “kujtimeve arbëreshe” të Nasho Jorgaqit, që mund të quhet tashmë miku shqiptar historik i arbëreshëve: dhe lexuesi ato kujtime është i sigurt se do t’i gjejë. Në shoqëri me Poetët arbëreshë dhe Dashuritë e Vorea Ujkos janë këta kapitujt që lexuesi arbëresh hap para se të kthehet në faqet fillestare të vëllimit. Kush njeh vëllimin Larg dhe afër (Udhëpërshkrime dhe meditime, 1987), sapo numëron njëmbëdhjetë faqet e kushtuara këtë herë arbëreshëve në librin Koha e kujtimeve, vë re se ato duken futur në vëllim pothuajse si azhurnim dhe vërtetim i përshtypjeve të mira dhe i vlerësimeve të përzemërta që Nasho Jorgaqi ka shprehur gjatë vizitave në katundet arbëreshe. Në një libër kujtimesh të jetës së tij, Nasho Jorgaqi nuk mund të mos fuste edhe nderimin për kujtimet më të gjalla që ka provuar në tokën e Arbërisë.
Kreu Dashuritë e Vorea Ujkos na ngjall kureshtje të menjëhershme. Prifti Domenico Bellizzi (Vorea Ujko) pati ca dashuri? Tek ne, prifti, që ka (o ka pasur) ndonjë dashuri, ka ngjallur gjithmonë një kureshtje të pandalshme e të pahijshme. Dihet se priftërinjtë tanë bizantino-katolikë para se të shugurohen si të tillë, mund të martohen, të vëne kurorë: situatë e jashtëzakonshme kjo në tokë katolike, meqë priftërinjve latinë nuk u lejohet martesa. Por prifti Domenico Bellizzi mund të mos jetë martuar, sepse në kohën e tij zakoni i martesës para shugurimit të priftërinjve bizantino-katolikë me banim në tokën italiane ishte shumë i ligështuar nga Vatikani i rreptë në beqari. Lind pyetja: për cilat dashuri flitet në libër? Në lexim e sipër, ato dashuri pak nga pak fillojnë të zbulohen. E përsërit: Nasho Jorgaqi ka shikuar botën dhe njerëzit me sy të hapur nga çudia: vetëm një poet, i lindur poet, mund të veprojë kështu. E pastaj gjuha e shkëlqyeshme shqipe që ai përdor, i lejon të mbetet shtang nga habia, të magjepsë të tjerët, të dramatizojë, të bëjë epike edhe gjënë më të vogël. Dhe ti si lexues e sheh për së gjalli Vorea Ujkon që u ngrit në këmbë, hapi krahët dhe… rroku fort në qafë shkrimtarin Nasho Jorgaqi. Takim pas takimi, skenë pas skene, si te afresket e bazilikave mesjetare, shkrimtari na tregon për “bëmat” e poetit Vorea Ujko. Dashuritë e Voresë dalin në dritë: dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët që është gjithnjë me dashurinë për Kosovën e për kosovarët, dashuria për bisedat e gostive, ku rrjedh vera si gjak i përbashkët vëllazëror, dashuria për poezinë, dashuria ndoshta krejt platonike për bukurinë femërore, shprehur dhe kënduar në vargje të ëmbla për emra të përveçëm grash, o me sigla plot komplicitet: L.K. e paarritshme! Nasho Jorgaqi të sjell në një botë të rrallë, që ekzistonte vërtet për arbëreshët që vizitonin Shqipërinë në kohën e monizmit. Ishte toka e të parëve tanë që të priste e të bënte të ndiheshe bir, nip, stërnip i rëndësishëm. Nasho Jorgaqi është shkrimtar i sinqertë dhe i përpiktë. Ai nxjerr nga miniera e arit të kujtimeve gjithë arin e mundshëm dhe ua dëfton të bukur e të shkëlqyeshëm lexuesve të tij. Kështu në kreun e kushtuar Vorea Ujkos. Por herë-herë, në minierën e arit ndodhet ndonjë damar që nuk është pikërisht ar i kulluar.
Nasho Jorgaqi, në rastin e Vorea Ujkos, veç ndjenjave të veta të sinqerta, regjistron, sa vetë Vorea i sugjeron me sjelljen e tij: të pijë verë, të bëjë dashuriçka, të heqë veshjen e padukshme, por gjithmonë të pranishme, të qenies së tij prej prifti, të himnizojë përparimet e socializmit shqiptar. Besoj se Nasho Jorgaqi, Fatmir Gjata, Dritëro Agolli e miqtë e tjerë shqiptarë binin në një keqkuptim të madh. Vorea Ujko nga ana e tij asgjë s’bënte të dilte nga keqkuptimi, sepse ne arbëreshë mysafirë të mëmëdheut e provuam fenomenin e “dehjes” që ishte më e fortë se dehja që prodhon vera, të linim që shqiptarët të mendonin për atë (për ne) çfarë donin të mendonin: jeni vëllezër të mi (tanë), prandaj mendoni gjithçka të doni!
Ma përforcon këtë mendim fakti se kthyer në Kalabri, në përkorën e jetës së përditshme prej famullitari të Fermës, d.m.th. kthyer në qenien e tij prifti, larg fizikisht nga ajo e jashtëzakonshme, por e përkohshme jetë në Shqipëri, Vorea kishte shkruar një dramë “antifashiste”, që miqtë e tij shqiptarë e gjykuan jo të përshtatshme me ideologjinë në fuqi. Dhe dihet se këto gjëra, edhe kur të mos e pranojmë, ftohin pak “vëllazërinë”. Vorea Ujko nuk u vinte pengesa miqve të tij, miqtë e tij ia vinin. Drama shkruar nga Vorea nuk u botua me një motivacion çarmatosës: ishte strukturalisht e dobët. Poeti do të ketë vuajtur për këtë.
Kapitulli “Dashuritë e Vorea Ujkos”, megjithëse xixëllues për gjuhë, ndjenja të shprehura o të lëna pas intuitës, nuk është më i “përmallshmi”, sepse libri na rezervon kapituj të tjerë me dramatizëm tejet të ndryshëm.
“Kthim në fillesat letrare të brezit tim” na jep në dy nënkapitujt “Shkodra letrare e fundit të viteve ‘40 dhe fillimit të viteve ‘50″e “Tirana letrare e fillimit të viteve ‘50″një lexim shumë intensiv të ndjenjave të një adoleshenti që lufton kundër anonimisë me një pjekuri të mendjes dhe të vullnetit, vërtet të lavdërueshme dhe me një projekt të qartë: të bëhesh shkrimtar. Shumë gjëra nuk i dinim. Një shembull për të gjithë: as shqiptarët e dinë se vargjet e këngës “Luleborë” i ka shkruar Nasho Jorgaqi.
Kujtimet në kapitullin e parë besoj se janë ato më të çmuarat për shkrimtarin tonë dhe një dëshmi historike, për ne lexues, për jetën sidomos shkollore e kulturore të asaj kohe.
Nga kreu i dytë i Kujtimeve më duket se bëhem spektator i emocionuar e i përvuajtur i një Rruge të Kryqit (Via Crucis) me stacione të dhembshme ku emra e pllakëza metalike shënojnë dramat: Lasgushi (Si e njoha), Ali Asllani (Zemra që s’u plak), Sejfulla Maleshova (Poeti rebel as i gjallë as i vdekur), Mitrush Kuteli (Dramat dhe pengjet), Nonda Bulka ((Kur qeshte dhe qante), Jakov Xoxa (Murgu i manastirit të letërsisë), Selman Riza (Burrëria intelektuale), Robert Shvarc (Shoku besnik i “tre shokëve”). Mund të korren në këta kapituj qindra fjali që të bëjnë të rrëqethesh.
Në kohën në të cilën Nasho Jorgaqi vendos ngjarjet e poetëve dhe shkrimtarëve të librit, ne arbëreshë kishim midis nesh në Itali disa letrarë shqiptarë të ikur nga Shqipëria ose të dënuar me vdekje, ose të paduruar ndaj regjimit: Ernest Koliqin, Karl Gurakuqin, Namik Resulin, Arshi Pipën, Martin Camajn e të tjerë. Ne kishim para syve dramën e Shqipërisë së atëhershme dhe solidarizoheshim me të mërguarit duke ndjekur pak a shumë politikën kulturore të tyre (Shqipëria na u hap neve në fund të viteve ‘70). Kush kish ikur nga atdheu, luftonte në një betejë të kotë për lirinë e të drejtat e njeriut në Shqipëri, kush kish mbetur në atdhe luftonte, edhe i deklasuar, në një betejë po aq të kotë për lirinë e afirmimin e të drejtave të njeriut. Regjimi i vendosur në Shqipëri dukej dhe ishte i pathyeshëm dhe kish gjithë potencialin të zgjaste pesëdhjetë vjet, si pikërisht ndodhi.
Nasho Jorgaqi, koherent asokohe në pranimin e ligjeve të shtetit edhe se diktatorial, koherent edhe sot kur mendon se shumë gjëra pozitive u kryen gjatë regjimit (nuk duhet të hedhim ujët e ndyrë me gjithë foshnjë), mund të kish bërë që harresa të përpinte Lasgushin, Asllanin, Maleshovën, Kutelin, Bulkën, Xoxën, Rizën, Shvarcin, por ai i rikthen në jetë, mund të më thoni për të lehtësuar barrën morale dhe shpirtërore se nuk bëri asgjë për ta, se nuk i ndihmoi sa duhet, por ai thjesht nuk kish mundësi t’i ndihmonte, se nuk mund të shkonte kundër ligjeve të shtetit e të kishte pasoja. Ka, në regjimet diktatoriale, një vdekje që mund të pësohet në jetë: mënjanimi nga jeta civile, dënimi me burgun e kotësisë, përveç burgimit fizik. Ka një vdekje të dytë, ajo natyrore, herë-herë më të dëshirueshme se vdekja civile. Por ka një vdekje të tretë më të llahtarshme se të tjerat: ajo e harresës. Sipas mendimit tim, merita më e madhe e Nasho Jorgaqit është kjo: ka larguar nga harresa ata shkrimtarë që ishin dënuar dhe njëkohësisht ka dëshmuar me fjalën e tij të përjetshme ekzistencën e tyre si njerëz të deklasuar o thjesht të mënjanuar.
Stili letrar i Kujtimeve në përshkrimin e ngjarjeve të të deklasuarve është fort dramatik: kurrë s’kisha përjetuar një ankth të tillë për fatin e protagonistëve shoqërisht të persekutuar. Ndoshta një emocion si ky që ndjeva me leximin e librit të Aleksandër Solzhenicit “Një ditë e Ivan Denisoviçit” o të librit të Primo Levit “Në ky është njeri”. Por shkrimtarët e deklasuar të Nasho Jorgaqit janë shqiptarë, vëllezërit tanë, për të cilët nuk dinim asgjë, bashkëvepruese ajo damnatio memoriae me të cilën po dënoheshin nga letërsia zyrtare. Nasho Jorgaqi lë të nëpërduket gjatë tregimeve dramatike një mendim ende më dramatik: Nëse Lasgushin, Maleshovën, Kutelin e të tjerët do i kishin lënë të lirë të kryenin romane e të thurnin vargje, kushedi sa vepra të jashtëzakonshme për Shqipërinë do të kishin dalë! Por: “Kjo gjë vetëm Zotit i mohohet: të shkatërrojë të kaluarën” (Etika nikomakea, Aristoteli).
Nasho Jorgaqi ka vizituar edhe arbërorët që ndodhen në Greqi e në Kroaci, të cilëve u kushton dy kapituj: Aristidh Kola (Buzëqeshja) e Shime Deshplani (Zëri larg dhe afër). Edhe këtyre u ndërton një përmendore të përjetshme me ndjenjat më të sinqerta për veprimtarinë që ata kanë zhvilluar për afirmimin e të drejtave të pakicave etniko-gjuhësore midis vështirësive, të shumtat e herëve të pakalueshme në trevat ku ata kanë jetuar.
Ka në librin e Kujtimeve një çudi letrare: Autori nuk flet vetëm për takime të mirëfillta si thotë fjala, por edhe për takime shpirtërore dhe kulturore me ndërmjetës që mund të jenë një mik letrar, një libër o një vend ku ai ka shkuar. Bëhet fjalë për Nazim Hikmetin (Kujtime të kujtimeve), për Anton Çehovin (Takim) e për Nastradin Hoxhën (Takim). Më ka pëlqyer pa masë takimi me Çehovin o, më mirë, me “Zonjën me kone”. Në djalëri e kisha lexuar atë tregim, por renda ta rilexoja, të kuptoja ku do të mbërrinte shkrimtari Nasho Jorgaqi. Gurovi, protagonisti, kush është? Përgjigjen na e jep citati që mbyll rrëfimin çehovian: “Çdo njeri në jetë ka pasur zonjën me kone. Në rast se nuk e ka, ai patjetër do ta ketë” (K. Pautovski). Profesor Nasho, je i rrallë!
(Botuar në të përditshmen Panorama)