in

28 filma në 60 vjetorin e lindjes për kompozitorin Haig Zacharian

“Ilegalët”, “Dora e ngrohtë”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time”, “Vrasje në gjueti” e shumë filma të tjerë, deri tek i fundit “Maja”, mbajnë kolonën muzikore të kompozitorit Haig Zacharian, sot 60 vjeç. Në 40 vjet krijimtari ai ka shkruar edhe mbi 40 vepra të gjinive vokale, instrumentale e simfonike, vepra skenike dhe muzikë dhome, si dhe dhjetëra këngë të muzikës së lehtë

Haig Zacharian është kompozitori që njihet më së shumti për kolonat zanore të filmave shqiptarë. Artist i mirëfilltë, Zacharian ka shkruar thuajse në të gjitha gjinitë: vokale, instrumentale e simfonike, vepra skenike dhe muzikë dhome, por veçanërisht nga viti 1976 ai nuk ka reshtur së kompozuari muzikë për filmat artistikë, fillimisht prodhime të Kinostudios “Shqipëria e re” e më pas për bashkëpunimet shqiptare e të huaja të regjisorëve të rinj dhe të atyre me përvojë. Sot që feston 60-vjetorin e lindjes Haig Zacharian numëron 28 filma, në të cilët i ka dhënë jetë muzikës dhe kolonës zanore në përgjithësi.

Tingujt e mbretit armen

Haigu, njeriu që ka emrin e një mbreti armen, u bë veçanërisht i njohur në vitet 1970-1980 kur kompozoi në pak kohë kolonat zanore të 20 filmave artistikë të Kinostudios. Specialistët, por edhe shikuesit, kujtojnë muzikën e filmit “Dollia e dasmës sime”, kur ndër të tjera një togë ushtarësh pushtues gjermanë futej në fshat me notat e larta të një gajdeje, apo filmin “Kohë e largët” ku atmosfera e shekullit XVII ndihej nga tingujt mesjetarë të shkruar nga Haig Zacharian.

Rikard Ljarja dhe Saimir Kumbaro, të cilët debutuan si regjisorë me filmin “Ilegalët”, ia besuan kolonën muzikore një tjetër debutuesi, kompozitorit të ri Haig Zacharian. “Isha 24 vjeç dhe nuk kisha menduar se brenda pak vitesh do të merresha kaq shumë me filmin”, kujton Zacharian periudhën intensive të bashkëpunimeve me regjisorët shqiptarë. “Dora e ngrohtë”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time”, “Vrasje në gjueti” apo “Të mos heshtësh” janë filma të tjerë të cilët i kujtojnë mjeshtrit të muzikës së kinemasë, regjisorët Xhanfise Keko, Spartak Pecani, Dhimitër Anagnosti, Kujtim Çashku, Gëzim Erebara, Hysen Hakani, Kristaq Mitro, Ibrahim Muça, Ismail Zhabjaku, etj. etj., me të cilët ka punuar dhe për të cilët flet me respekt të thellë.

Haigu i është rikthyer filmit vitin e kaluar pas një heshtjeje gati 15 vjeçare në këtë fushë. Regjisori durrsak Pluton Vasi ka këmbëngulur që filmi i tij I fundit “Maja” të kishte muzikën e mjeshtrit Zacharian dhe rezultatet ishin mjaft domethënëse. “Maja” ka shëtitur dhe është nderuar me çmime në disa festivale ndërkombëtarë. “Me Plutonin kemi pasur edhe një bashkëpunim tjetër në vitin 1993 për filmin “Këtu bën ftohtë”, kujton Haigu. 40 vjet krijimtari.

Haig Zacharian vjen nga një familje me origjinë armene, por siç shprehet edhe vetë, ky fakt nuk i ka krijuar asnjëherë problem mes moshatarëve apo bashkëqytetarëve të tij durrsakë. Duke folur për mjedisin ku është rritur Haigu shprehet se prindërit, Agopi dhe Lusia kanë ndikuar në mënyrën e jetesës dhe të marrjes së përgjegjësive; në qëndrimet përballë artit, fesë dhe shtetit, si dhe në dëshirën për të jetuar mes njerëzve dhe i lidhur me ta. “Lexonin shumë edhe falë gjuhëve që njihnin dhe unë vazhdoj t’i kujtoj kështu, përballë librave”, thotë mjeshtri i muzikës, i cili pikërisht për këtë së bashku me bashkëshorten Anën e kanë quajtur djalin e tyre Kyd, çka në armenisht do të thotë “i ditur”.

Haig Zacharian nuk është ndalur vetëm te muzika për kinematografinë. Në 40 vjet krijimtari ai ka shkruar mbi 40 vepra të gjinive vokale, instrumentale e simfonike, vepra skenike dhe muzikë dhome, si dhe dhjetëra këngë të muzikës së lehtë. Ai kujton dy veprat e para, të cilat u interpretuan gjatë Dekadës së Majit 1972. “Isha student i vitit të dytë dhe modeli im i parë ishte profesor Tonin Harapi, i cili më mësonte kompozicionin. Ndërsa ata që kanë ndikuar në formimin tim artistik janë të pafund, nga kompozitorët paraklasikë e deri te kolegët e mij të vjetër e të rinj në moshë”, thekson prof. Zacharian, i cili prej më shumë se 10 vitesh ka detyrën e shefit të katedrës së kompozicionit në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Elektronika, pengu i dikurshëm që sot e çlodh

Rruga pa kthime e mjeshtrit Zacharian në botën e muzikës për shumë vite ka mbajtur brenda një peng të madh, i cili me kalimin e kohës është kthyer në një hobi që vlen si çlodhje. “Ëndrra ime ka qenë inxhinieria elektronike”, tregon Haigu për pasionin që ia njohin të gjithë miqtë. Kështu, kur do të çlodhet, kompozitori i njohur gjen “strehë” mes kompjuterëve. “Ka qenë një kohë kur si fëmijë vraponim pas kufjeve të sajuara me gurë galene, i kthehet Haigu dhjetëvjeçarëve të shkuar, dhe duhet të pranoj se në Institutin e Lartë të Arteve shkova pasi “elektronika” u jepej vetëm të “zgjedhurve”. Tani impiantet moderne e ndihmojnë shumë për të dëgjuar muzikë të mirë, por edhe për të përshtatur programe të veçanta për punën e tij si pedagog.  “Është kënaqësi ta përdorësh shkencën si instrument”, shprehet Haig Zachariani, të cilin bashkëqytetarët e kanë nderuar me titullin “Nder i qytetit të Durrësit”. (ATSh)

Patronati Acli i Firences, sportel të posaçëm pensionesh për shqiptarët

Renzo Bossi student në Tiranë (pa shkelur asnjëherë) pa mbaruar të mesmen në Itali