in

Mbërrin sanatoria. Kush punon do të marrë lejeqëndrimin

Qeveria ka përvetësuar direktivën europiane që ashpërson dënimet për ata që punësojnë të huaj me qëndrim të parregullt në Itali. Ndërmarrjet e familjet që vetëdenoncohen (e paguajnë) do të mund t’i shmangin sanksionet e reja dhe imigrantët do të kenë lejen e qëndrimit. Në rastet e shfrytëzimit më të rëndë, lejeqëndrim për ata që padisin punëdhënësin

Romë, 6 korrik 2012 – Tani është e sigurt, qeveria ka miratuar një sanatore të re punonjësish të huaj që punojnë, edhe pse dëshiron ta quajë ‘masë kalimtare’. Do t’u japë mundësi sipërmarrjeve dhe amiljeve që u japin punë imigrantëve të parregullt t’u shpëtojnë sanksioneve të reja dhe shtetasve të huaj të fusin në xhep lejeqëndrimin e ëndërruar.

Është shkruar në dekretin legjislativ të miratuar sot në mënyrë përfundimtare nga Këshilli i Ministrave me të cilin përvetësohet direktiva evropiane 2009/52/CE mbi “normat minimale lidhur me sanksionet dhe masat ndaj punëdhënësve që punësojnë qytetarë të vendeve të treta qëndrimi i të cilëve është i parregullt”. Përveç udhëzimeve të Brukselit, dekreti shton edhe një masë kalimtare që do t’u lejojë qindra mijëra punonjësve të padukshëm të dalin në dritë dhe Shtetit që të fusë para në arkat e tij.

Edhe sot, në Itali, t’i japësh punë një të huaji që nuk ka leje qëndrimi të vlefshme është prej kohësh vepër penale e ndëshkuar nga Teksti unik për imigracionin me arrestin nga 3 muaj në 1 vit dhe me gjobë prej 5.000 eurosh për çdo punonjës të punësuar. Këtij ndëshkimi i shtohen edhe sanksionet administrative për shkeljen e detyrimeve në rrogë, taksa e kontribute. Për punonjësin e huaj parashikohet dëbimi.

Dekreti i qeverisë, sipas zërave jo zyrtarë, parashikon që të gjithë ata që janë dënuar (edhe jo përfundimisht) për këtë vepër penale nuk do të mund të sjellin në Itali punonjës të huaj me flukset, pra përjashtohen nga e drejta e përfitimit të kuotave. Për më tepër, duhet të paguajnë një gjobë të re sa “kostoja mesatare e riatdhesimit të punonjësit të huaj të marrë në punë në mënyrë të parregullt”, para që do të shërbejnë për të financuar riatdhesimet, por edhe projektet për integrimin.

Shfrytëzim i rëndë? Lejeqëndrim për ata që padisin

Shtohet një rrethanë rënduese për rastet e shfrytëzimit të veçantë të punonjësve të huaj të parregullt. Dënimet rriten me një të tretën deri me gjysmën nëse punonjësit e parregullt janë më shumë se tre, nëse janë të mitur me moshë nën 16 vjeç ose nëse detyrohen të punojnë në “kushte rreziku të rëndë”, duke mbajtur parasysh “karakteristikat e detyrave që kryhen dhe kushtet e punës”.

Dhe vetëm në këto raste të fundit, me propozim ose me mendim të favorshëm të Prokurorisë, nëse punonjësi do të padisë punëdhënësin dhe do të bashkëpunojë gjatë procesit, ai do të mund të marrë një leje qëndrimi për motive humanitare. Do të zgjasë gjashtë muaj dhe do të mund të konvertohet në leje qëndrimi për punë nëse ndërkaq i huaji gjen një tjetër punësim, këtë herë, natyrisht të rregullt.

Kjo procedurë do të mund t’u aplikohet, për shembull, imigrantëve të punësuar në bujqësi në kushte çnjerëzore, të keqpaguar e skllevër të ‘kaporalëve’. Punonjës si ata që u rebeluan në Rosarno, për të cituar një prej rasteve më të bujshme që pati vëmendjen e mediave. Janë të shumtë, por sidoqoftë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të emigrantëve të parregullt.

Legalizimi

Janë shumë herë më të shumtë në numër bashkëpunëtorët shtëpiakë, punëtorët, muratorët  e të tjerë punonjës që edhe pse “jo aq shumë” të shfrytëzuar, sidoqoftë punojnë në të zezë sepse nuk kanë lejen e qëndrimit. Edhe për këtë kategori të gjerë, e ky është lajmi më i shumëpritur, po mbërrin një brez shpëtimi.

Ndërsa dekreti merrte formë, ministri i Integrimit Andrea Riccardi kishte sugjeruar t’u jepej punëdhënësve një fazë e shkurtër kalimtare  përpara hyrjes në fuqi të normave të reja, mundësia e “vetëdenoncimit të vullnetshëm”. Duke u vetëdenoncuar, e duke paguar një shumë të caktuar, do të mund të shmangnin sanksionet.

I njëjti opipnion kishte dalë edhe nga komisionet Dhomës së Deputetëve dhe Senatit. Ky i fundit kishte qenë shumë i saktë, duke kërkuar një “fazë kalimtare brenda të cilës palët e interesuara, duke përfshirë edhe punëdhënësit e huaj që kanë leje qëndrimi afatgjata CE, munden vullnetarisht t’u përshtaten normave ligjore dhe të shmangin kështu sanksionet më të rënda, duke deklaruar brenda një afati të përcaktuar, marrëdhënien e parregullt të punës, me kusht që t’u paguajnë të huajve rrogat e të paktën tre muajve punonjësve (nëse nuk ua kanë dhënë), dhe t’i japin shtetit sigurimet shoqërore dhe kontributet fiskale të të paktën tre muajve si dhe pagesën e një kontributi prej 1.000 eurosh për çdo punonjës”.

Është kjo mundësia që qeveria ka futur në dekretin e miratuar sot me nxitjen e ministrit Riccardi, që duke interpretuar edhe vullnetin e parlamentit, gjatë javëve të fundit kishte parë humorin e orientimin e kolegëve. Për të njohur detajet e sanatores, duhet pritur disa ditë, edhe sepse teknikët e qeverisë po punojnë për limimin e disa aspekteve. Por padyshim sot mund të themi që sanatoria e re nuk është më vetëm shpresë por diçka reale.

Elvio Pasca

 

Dashuria shqiptare për Al Banon

“Elton, je yll bote…”