Armand Xhomo, rrëfen jetën e tij në Firence, nga vitet e para të emigrimit me vështirësitë ekonomike deri më ditët e sotme kur është një piktor i afirmuar dhe i vlerësuar nga kritika që merr pjesë në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare.
Xhomo i ka idetë e qarta mbi të shkuarën: “Artin e Realizmit Socialist nuk mund ta mohosh, sepse mohon një periudhë të jetës së popullit shqiptar. Nuk mund të prishësh Galerinë Kombëtare të Arteve se ka elementë të Realizmit Socialist. Janë 40 vjet të kulturës së këtij populli. Nëse çdo ndryshim fsheh atë që kanë krijuar më parë, atëherë nuk ka më histori.
Nga Oliverta Lila
Armand Xhomo ka qenë pak i pranishëm në jetën artistike shqiptare, prej vitit 1991, kur zgjodhi të largohej drejt Italisë. Eksodi, përveç të tjerave ishte edhe artistik, e zuri në një moment kyç të krijimtarisë së tij. Pas mbarimit të Akademisë së Arteve në vitet 85-89, i profilizuar për skenografi, kishte shënuar dy bashkëpunime me regjisorin Gëzim Kame dhe Agim Qirjaqin, me Estradën e Tiranës, spektakle me Vera Grabockën e Petri Bozon, etj.
Tashmë jeton dhe krijon në Firence. Është një nga artistët shqiptarë që ka arritur të shpërfaqet, të jetë pjesë e ekspozitave ndërkombëtare e të fitojë edhe çmime. “Nuk u largova nga Shqipëria për mbijetesë ekonomike, por ishte çështje e pasurimit të mendimit dhe të kërkimit të një gjuhe të re artistike. Në ato vite ndihesha artistikisht i realizuar, teatri, estrada, televizioni, edhe pse ishin në vështirësi ekonomike, ishin ambiente ku punonin artistë, pika arritje në jetën tonë. Për fat të keq, mundësitë për të ikur dhe për t’u rikthyer lirshëm në atë kohë nuk ekzistonin, ndaj edhe qëndrimi atje u bë një sfidë ndaj vetvetes: ose do të qëndroje dhe të ecje përpara, ose do të ktheheshe. Periudha e parë ka pasur vështirësitë e veta. Me kalimin e viteve arrita të krijoja një pozicion të qëndrueshëm timin, por lashë pas edhe shumë gjëra të mira, të ndërtuara në periudhën e parë të krijimtarisë sime. Megjithatë, jam i kënaqur me zgjedhjen që bëra, sikurse do të ishte pozitive edhe qëndrimi në Shqipëri”, thotë Xhomo, në një vizitë të radhës në Tiranë, ku më së shumti takon familjarët, por pa neglizhuar edhe ndonjë mundësi ekspozimi.
Pranon se nuk ka qenë i pranishëm me pikturat e tij për publikun shqiptar që nga vitet 1989 dhe 1990 kur merrte pjesë në Ekspozitën e Pranverës në Galerinë Kombëtare të Arteve. Thotë se ndoshta duhet më shumë këmbëngulje e më shumë kontakte, megjithatë e ndjek vazhdimisht situatën artistike në Shqipëri e jashtë saj.
“Klima është shumë e mbarë dhe shoh që ka artistë me shumë interesa, si ata që jetojnë këtu, ashtu edhe ata që janë jashtë, si: Adrian Paci, Helidon Xhixha, Gazmend Leka, Anri Sala, Sislej Xhafa, Helidon Haliti, Ilirjan Shima, Arben Bajo, etj, një brez i shëndetshëm, që të bën të jesh i kënaqur nëse të jepet mundësia të rendësh me ta në rrugën e artit”, thekson Xhomo.
Tregon se në vitet e para në Itali ka pasur oferta për të punuar si skenograf, por propozimet ishin me interesa të vogla ekonomike, të cilat ishin shumë të rëndësishme për mbijetesë në fazën e parë të qëndrimit. Gjithsesi, ekspozitat e tij të para shënohen që herët, me një paraqitje personale, që në vitin 1992. Në vitin 1995 është fitues i çmimit “Premio Italia”, organizuar nga Eco d’Arte Moderna, i cili është pasuar me një sërë ekspozitash kombëtare e ndërkombëtare, në: Palazzo Pretorio Certaldo, Palazzo di parte Guelfa Firenze, Museo dei Campionissimi, Proponendo Forte dei Marmi, Galleria Dea Firenze, Lendinara Rovigo, në Senegal, në Norvegji, në Ambasadën Shqiptare në Romë, në Gjenovë, në muzeun Ugo Guidi, ndërkohë që në vitin 2011 ka fituar edhe çmimin “Arturo Puliti; Proposta 2011”.
Në këtë dhjetëvjeçar të fundit, gjatë të cilit i është dedikuar tërësisht pikturës, Xhomo ka lëvruar disa cikle, të cilat dallojnë për teknikën dhe simbolikën që mbartin. Problemet sociale dhe të globalizmit, cikli i vetmisë, cikli i demave, si një kundërvënie forcash, cikli i nudove, etj.
Ndonëse jeton prej vitesh në Firence, një qytet që ruan me fanatizëm të shkuarën e njëkohësisht ka ngritur baza të mira për artin bashkëkohor, Armand Xhomo tregon se elementët që ka marrë në shkollën shqiptare e kanë ndihmuar gjithnjë, duke u pasuruar me një gjuhë të një ekspresionizmi simbolik e vizionar. Sipas tij, artin e Realizmit Socialist nuk mund ta mohosh, sepse mohon një periudhë të jetës së popullit shqiptar. “Nuk mund të prishësh Galerinë Kombëtare të Arteve se ka elementë të Realizmit Socialist. Janë 40 vjet të kulturës së këtij populli. Nëse çdo ndryshim fsheh atë që kanë krijuar më parë, atëherë nuk ka më histori. Për mendimin tim, arti i Realizmit Socialist duhet parë e duhet studiuar me vëmendje, sepse në fund të fundit është një periudhë që ka prodhuar artistë shumë të rëndësishëm, është kultura e asaj periudhe. Unë dhe shumë të tjerë kemi lindur nga kjo kulturë”, shprehet Xhomo. Ai sjell ndër mend një sërë emrash të njohur të artit bashkëkohor, të cilët e kanë ngritur krijimtarinë e tyre mbi kulturën kombëtare, për të komunikuar më pas me një publik të gjerë.
Sipas tij, arti nuk bën moral, ai i takon shoqërisë. “Jeff Koons, një nga artistët bashkëkohorë më të njohur, ciklin e tij erotik e ka trajtuar gati në përmasa pornografike, të cilat për moralin nuk qëndrojnë, por me moralin i takon shoqërisë të merret, arti del përtej këtyre kanuneve. Çdo të thoshim pastaj për Maurizio Cattelan-in, i cili në një ekspozim vendos në qendër një figurë të gjunjëzuar me sytë drejt qiellit që po lutet. Kjo figurë është Hitleri”, thotë Xhomo. Një sërë ekspozitash e presin së shpejti në Rumani, në Holandë, ndërkohë që do të jetë një ndër katër të ftuarit e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Spoleto, ku do të mbahet edhe java e artit figurativ.
Botuar në Shqip me titull “Armand Xhomo: Nga Tirana në Firence, në kërkim të lirisë”