in

Kadare: “Europa, shtëpia e natyrshme dhe e vetme e Shqipërisë”

“Është herë e parë në historinë e Shqipërisë që një shekull pas çështjes së pavarësisë, një tjetër synim bashkon si me magji politikën dhe shoqërinë, opinionin publik dhe besimet fetare, elitën dhe njerëzit e thjeshtë. E kam fjalën për synimin evropian” shprehet shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, gjatë një bashkëbisedimi me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi

Tiranë, 4 tetor 2012 – “Evropa për Shqipërinë është vetvetja, është gjendja e natyrshme e saj dhe e vetmja”, shprehet shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, gjatë një dialogu me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sequi.    

Ideja e Shqipërisë evropiane, si frymë historike dhe realitet, ka qenë në qendër të një bashkëbisedimi të rrallë mes Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, dhe shkrimtarit Ismail Kadare. Ky dialog është i pari i një kolane që do publikohet në shtyp, e ideuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, ku shkrimtarë, filozofë, analistë, artistë ndajnë me Ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe me publikun shqiptar vizionin e tyre mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Një javë para publikimit të Raportit të Progresit për Shqipërinë nga Bashkimi Europian, Kadare thotë se Evropa për shqiptarët, përpara se të jetë një luks, një shkallëzim drejt përparimit, një përkryerje, ka qenë një domosdoshmëri e një jete të munguar.

“Kjo mund të tingëllojë si patetike, por nuk është ashtu. Për një popull pa familje, gjetja e kësaj të fundit është hyrje në një fazë krejtësisht të re të ekzistencës. Me fjalë të tjera, për herë të parë në këto 600 vitet e fundit Shqipëria bëhet gati të hyjë në kontinent pa vetminë e saj”, shprehet ai.

Sipas shkrimtarit të shquar, shqiptarët, të bindur se e duan më shumë dhe më ngutshëm se të tjerët Evropën,  kujtojnë se ky është një argument i mjaftueshëm për të bindur këdo, se më shumë dhe më shpejt se të tjerët e meritojnë atë.

“Nga një pikëshikim i parë, kjo bindje naive ngjan befasuese në kuptimin jo të mirë të fjalës. Por, çështja e të qenit evropian nuk është qëllim në vetvete, si të thuash, ngjitja në një rang më të zgjedhur e më elitar. Përvetësimi i vlerave të popujve që përbëjnë klubin evropian, përpara se të jetë respekt për Evropën do të jetë respekt për vetveten. Ai lidhet me nivelin e jetës lëndore, shpirtërore, institucionale, juridike. Të gjitha këto shkojnë bashkë, sipas një harmonie të brendshme”, thekson Kadare.

Sipas tij, është hera e parë në historinë e Shqipërisë, që një shekull pas çështjes së pavarësisë, një tjetër synim bashkon si me magji politikën dhe shoqërinë, opinionin publik dhe besimet fetare, elitën dhe njerëzit e thjeshtë, synimi evropian.

“Kur thashë se Evropa për ne është gjithçka, ndoshta u duk e tepruar, por e kam atë bindje. Përveç vlerave të përbashkëta, përveç standardeve, ritmit të përparimit, që pasqyrohet çdo vit te Raporti i Progresit, pakti me Evropën ne na mëson diçka që, në kushte të tjera, do të ishte gjëja më e vështirë për t’u përvetësuar: harmonia me vetveten. Ky mirëkuptim vlen po aq për ne, shqiptarët, sa ç’vlen për pajtimin ndërballkanik. Evropa nuk ka arritur lehtë te ky ushtrim i mirëkuptimit. Pa e ditur, ndoshta, as ajo vetë, madje pa e ditur as ne, ajo ka punuar për ne”, shprehet Kadare.

Ai gjykon se jeta politike në Shqipëri ka nevojë të ngutshme për “trysninë pozitive” evropiane. “Vetë shprehja “jetë politike” është kuptimplotë. Kemi të bëjmë me jetë dhe jo me kacafytje politike, e cila në fund të fundit është pothuajse luftë. Dhe luftë do të thotë gjysmë jetë, çka është pak a shumë gjysmë vdekje. Nuk pres ndonjë idil as midis partive politike në Shqipëri, as në raportet shqiptaro-evropiane ose ballkaniko-evropiane. Evropa është sot familja më shpresëdhënëse e kombeve edhe pse ka një traditë të ashpër dhe në thelb ajo është e tillë. Ne të gjithë së bashku, kontinenti evropian e Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, nuk ka pse të bëjmë sikur tmerrohemi nga fjala “ashpërsi”. Ne të gjithë, mbajmë një lidhje me Spartën.  E Sparta nuk ka pasur vetëm Termopile”, shprehet ndër të tjera shkrimtari Kadare në bashkëbisedimin me ambasadorin Sequi.

Torino. Plagosën me thikë atë e bir, dënohen me nga 8 vjet burg

Shpërthimi në Formia Ndër dhjetë të plagosurit vetëm njëri akoma në spital