in

Punonjësit sezonalë. Nga 26 marsi nisen kërkesat

Dekreti i Fluksit duhet të botohet në Gazetën Zyrtare të hënën, më 25 mars. Ndërkohë, kërkesat mund të përpilohen e të ruhen on line

Romë, 24 mars 2013 – Është thuajse e sigurt: të martën më 26 mars do të nisë paraqitja e kërkesave të punësimit për punonjësit sezonalë. Parashikohet që dekreti të botohet në Gazetën Zyrtare më 25 mars.

Pas firmës së kryeministrit dhe aprovimit në Kontrollin e Shtetit, dekreti ka mbërritur në Gazetën Zyrtare ku është vënë në kalendar për botim për të hënën dhe nga ora 8.00 e të nesërmes, siç parashikon qarkorja e përbashkët e ministrive të Punës dhe të Brendshme, punëdhënësit do të mund të nisin kërkesat telematikisht kërkesat parme faqes internet nullaostalavoro.interno.it.

Ndërkaq mund të përpilohen kërkesat online, këtu gjeni një udhëzues të ilustruar që tregon hapat kryesorë të procedurës. Për të paraqitur kërkesën ka kohë deri më 31 dhjetor 2013 dhe vështirë që kuotat në dispozicion të mbarojnë. Por kush ka nevojë tani për një punonjës bën mirë të nxitojë, sepse kalojnë disa muaj para se ky të vijë në Itali.

Qeveria ka autorizuar gjithsej 30 mijë hyrje. Punonjësit mund të sillen nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Algjeria,  Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Maroku, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegal, Serbia, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia. Pesë mijë prej tyre janë rezervuar për punonjës që janë thirrur në Itali si sezonalë për të paktën dy vjet rresht e për të cilët punëdhënësit kanë paraqitur kërkesë autorizimi shumëvjeçar.

Kush ka qenë në Itali edhe vitin e shkuar, mund të sillet edhe këtë vit, pavarësisht nga kombësia. Për këta punonjës, kur punëdhënësi është i njëjti, vlen edhe parimi i heshtje-aprovimit: kërkesa do të konsiderohet automatikisht e pranuar nëse, brenda 20 ditëve nga paraqitja, nuk kanë mbërritur akoma gjykimet e Kuesturës dhe të Drejtorisë Territoriale të Punës.

Red. Shqiptari i Italisë

Futboll. Hirushja Shqipëri ëndërron Brazilin

Shtetësia. Kryetarja e Dhomës së Deputetëve: “Të nisë menjëherë puna për reformën”