Për gjyqtarin e hetimeve paraprake të Monzas “Nuk ekzistojnë prova të forta fajësie”
Romë, 4 korrik 2013 – Lihet i lirë 30-vjeçari Zef Lleshi që akuzohet për vrasje me dashje në rrethana rënduese të të shoqes. Gjyqtari për hetimet paraprake ka pranuar akuzën ndaj tij por ka vendosur që të ndiqet penalisht në gjendje të lirë sepse kundër të pandehurit “nuk ekzistojnë prova të forta fajësie”. Lleshi akuzohet se gjatë një zënieje me të shoqen Silvana Hyseni, 31 vjeçe, pasditen e 30 qershorit e ka hedhur nga kati i nëntë, por ai gjithnjë ka pohuar se e shoqja është hedhur vetë nga dritarja.
Akuza
Kur pasditen e 30 qershorit, pas vdekjes së të shoqes, karabinierët kanë parë në shtëpinë e çiftit pjata të thyera, perde të shqyera, mobilie të përmbysura që, sipas forcave të rendit, nuk ishin tjetër veçse shenja të një grindjeje të dhunshme, që sipas të ëmës së Silvana Hysenit ishin të shpeshta. Për më tepër, kur Lleshi është shoqëruar në kazermë për të rindërtuar dinamikën e asaj që kish ngjarë, karabinierët kanë parë se kishte në trup të gërvishtura që sipas tyre mund të ishin shkaktuar nga e shoqja në përpjekje për t’u mbrojtur.
Për shenjat ai ka pohuar njëherë “mi ka bërë ajo kur përpiqesha ta ndaloja të hidhej nga dritarja” e njëherë “i kam marrë kur kapërceja hekurat e rrethimit të pallatit për të shkuar sa më parë për të verifikuar nëse ime shoqe ishte gjallë”. Për hetuesit, këto tregojnë se ai ka gisht në vdekjen e të shoqes, për avokatin e Lleshit kanë për shkak tronditjen e tij të madhe ngaqë pa të shoqen të hidhej nga dritarja.
Me sa duket versioni i Lleshit deri diku ka bindur gjyqtarin, i cili edhe pse ka konvaliduar ndalimin e tij, ka vendosur që të ndiqet në gjendje të lirë.