Në Italinë e krizës, papunësia arrin nivele të frikshme: personat e papunë përbëjnë 12,2% të të aftëve për punë, shumë më keq norma e papunësisë mes të rinjve që për të parën herë ka kaluar cakun e 40%-shit.
Romë, 1 tetor 2013 – Papunësia në Italinë e prekur nga recesioni ka arritur në gusht nivelin rekord të 12,2% në. Lajmin e jep Instituti i Statistikave, ISTAT. Shifra është më e larta që nga janari 2004 kur ISTAT filloi përdorimin e metodës së sotme të përllogaritjeve për të dhënat mujore dhe që nga tremujori i parë i vitit 1997 për të dhënat tremujore. Norma e papunësisë për gushtin u rrit me 0,1% në krahasim me një muaj më parë dhe është 1,5% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2012.
Shifrat janë akoma më të larta për papunësinë në radhët e të rinjve që ka tejkaluar nivelin prej 40% për herë të parë gjatë muajit gusht. Gjithnjë sipas ISTAT, 40,1% e personave me moshë 15-24 vjeç janë të regjistruar si të papunë. Sipas të dhënave të publikuara sot, niveli i papunësisë në radhët e të rinjve regjistroi rritje me 0,4% në gusht krahasuar me muajin korrik dhe 5,5% rritje krahasuar me gusti e vitit të shkuar.