Në qendër të takimit të dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë e Italisë, marrëdhëniet dypalëshe dhe përparimi i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE
Tiranë, 9 tetor 2013 – “Italia është e angazhuar që raporti i Komisionit Evropian të jetë pozitiv dhe Këshilli evropian i dhjetorit t’i njohë statusin e vendit kandidat Shqipërisë”. Kështu është shprehur sot në Tiranë ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Emma Bonino, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e saj shqiptar Ditmir Bushatin. “Jemi mbështetës të zjarrtë të adezionit të Shqipërisë në BE – ka vazhduar ministrja italiane, që ka nënvizuar – Bashkimi Evropian nuk është vetëm një mundësi më shumë por edhe disiplinë. E kjo vlen për të gjithë”.
Dy ministrat u shprehën të sigurt se marrja e statusit të vendit kandidat, brenda këtij viti, është i arritshëm për Shqipërinë, por, njëkohësisht theksuan rëndësinë për të vazhduar me reformat, veçanërisht për sa i përket shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministri Bushati prezantoi prioritetet e qeverisë së re në planin e brendshëm dhe në politikën e jashtme, ku sfida kryesore mbetet marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim. Bushati vuri theksin mbi politiken konstruktive të Shqipërisë në rajon, të bazuar në konceptin e gjithë përfshirjes.
Ministrja Bonino vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe siguroi vazhdimësinë për mbështetjen e fuqishme të Italisë në këtë kuadër. Bonino u shpreh se Presidenca italiane e BE-së 2014, do të jetë një rast shumë i mirë për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në kuadër të BE-së, makro-rajoneve, marrëdhënieve dypalëshe, por edhe më gjerë.
Ministrat vlerësuan rëndësinë e Projektit TAP dhe IAP, si një projekt i rëndësishëm, politik dhe ekonomik që do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimin mes dy vendeve tona, vendeve të vetë rajonit por edhe më gjerë.
Gjithashtu, në takim u vu theksi në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, në mbështetjen e biznesit, si dhe në organizimin e Samiteve ekonomike mes dy vendeve me pjesëmarrjen e bizneseve.
Gjatë konferencës, Bushati tregoi se dy ministrat “shkëmbyen pikëpamjet që marrëdhëniet mes dy vendeve të ngrihen në një stad më lartë, përsa i përket shfrytëzimit të instrumentave ekzistues dhe fushave të bashkëpunimit me interes të përbashkët, të cilat variojnë nga çështjet ekonomike, politike, të mbrojtjes dhe deri tek çështjet e enegjisë, kulturës, arsimit dhe shkëmbimeve dypalëshe”.
Lexo edhe: Bonino në Tiranë i kënaq të gjithë, majtas e djathtas