Mijëra manifestues kanë dalë rrugëve të Parisit pas riatdhesimit të 15-vjeçares Leonarda Dibranit, e ndaluar ndërsa ishte me shokët e klasës. “Dua të kthehem në Francë e të ndërtoj aty të ardhmen”
Romë, 17 tetor 2013 – Rreth 6 mijë studentë në Paris kanë protestuar sot para ministrisë së Brendshme për të protestuar kundër dëbimit të nxënëses kosovare Leonarda Dibrani dhe të një nxënësi tjetër armen, Katchik, që të dy pa leje qëndrimi në Francë. “Për kthimin e Leonardës dhe Katchik-ut!” lexohet mbi parullat që studentët mbajnë mbi gjoks.
Leonarda është 15 vjeçe nga Kosova, prej rreth pesë vjetëve në Francë. Vajza është arrestuar ndërsa ishte në një udhëtim shkolle dhe është riatdhesuar të nesërmen me të gjithë familjen e saj.
Ngjarja është e 9 tetorit e ka ndodhur në Lavrier, një fshat në lindje të Francës, dhe me përhapjen e lajmit në media janë nxezur polemikat për linjën e ashpër kundër imigrantëve që ka adoptuar qeveria socialiste.
Sipas dëshmive të mësuesve të kolegjit Andrè Malraux të Pontarlier, Leonarda ishte në autobus me nxënësit e tjerë për t’u nisur për një udhëtim shkollor në Sochaux, kur kryetari i komunës ka urdhëruar ndaljen e automjetit.
Në atë çast agjentët kanë marrë në dorëzim vajzën dhe të nesërmen e kanë dëbuar nga Franca bashkë me të ëmën e pesë vëllezërit e saj.
Nga Mitrovica, Leonarda ka komunikuar me media të ndryshme franceze për të cilat është shprehur: “Është një makth. Ajo që kërkoj unë është që të kthehem me familjen time në Francë, në shkollën time. E ardhmja ime është atje”. Ajo ka shpjeguar gjithashtu edhe turpin që ka provuar kur e policia e ka marrë me forcë në sy të shokëve të klasës.
Ministri i Brendshëm, socialisti Manuel Valls, në qendër të polemikave për urdhrin e dëbimit të 20 mijë romëve nga Franca, ka mbrojtur forcat e rendit që “kanë respektuar në mënyrë të përpiktë të drejtat e të huajve”. Deklarata është kritikuar fort nga opozita e nga eksponentë të partisë së tij. Me kërkesë të kryeministrit Jean-Marc Ayrault, Valls është detyruar të hapë hetime të brendshme administrative mbi këtë rast.