in

Festa e Pavarësisë mes shqiptarëve të Astit

Më 25 nëntor,  AssoAlbania Piemonte organizoi në teatrin Alfieri të “Mirëse erdhët midis nesh! – Benvenuti tra noi!”, mbrëmjen festive për Pavarësinë e Shqipërisë

Në qytetin Asti të Italisë kam qenë, për herë të parë, në  tetorin e 1991-shit. Siç e dinë të gjithë, më 6 mars të atij viti, nga porti i Durrësit shkuan me anije, në qytetin Bari, qindra emigrantë shqiptarë. Në vazhdimësi, ata i dërguan në kampin ushtarak të atij qyteti verior. Bashkë me ta, ishin edhe dy djemtë tanë, Ariani e Altini. Kemi qenë vizitorë  atje disa herë, në këto vite dhe me kënëqësi kemi parë se si bashkatdhetarët tanë janë mirëpritur nga fqinjët italianë dhe shumë prej tyre kanë ndërtuar aty jetën familjare, punojnë ose mësojnë dhe janë integruar denjësisht në shoqërinë italiane.

Pas një vizite tjetër në Asti, në janarin e sivjetëm, këto ditë e ndjeva veten që përsëri isha aty i pranishëm. Këtë ndjenjë ma krijoi biseda telefonike me djalin e vogël, Altinin dhe të shoqen, Lorena. Ata më paralajmëruan se, me rastin e 101-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,  në teatrin e madh e të bukur  “Alfieri”, bashkësia shqiptare do të organizonte një shfaqje festive.

Dhe ja, ndjenjat dhe gëzimin e përjetuar ma bënë më të afërt bisedat tjera me ta si dhe informacioni i hollësishëm, që më dërgoi ish-punonjësi i Teatrit “Skampa” të Elbasanit, Hasan Bulçari, emigrant aty, që nga viti 1991.

“Në vazhdën e jetës dhe  edukimitë të fëmijëve tanë me dashurinë për Shqipërinë, në qytetin verior të Italisë, Asti, është edhe gjithë veprimtaria e Shoqatës sonë atdhtare e kulturore. Qëllimi kryesor i saj është ruajtja e gjuhës, kulturës e traditave më të mira shqiptare. Sigurisht, afrimi i festave tona kombëtare e bëjnë edhe më të prekshme punën tonë. Kështu ndodhi edhe me afrimin e festave tona të këtij nëntori.
Shoqata jonë “AssoAlbania-Piemonte” ka lindur nën kujdesjen e Shoqates simotër “AssoAlbania Italia” të Pistojes. Fillimisht, ata biseduan me Dedë Kolën e ky iu drejtua disa bashkatdhetarëve. Kështu, u krijua bërthama e parë e Shoqatës sonë, me 9 pjesëmarrës, të cilët shumë shpejt u vunë në lëvizje.
Më tej, u hartuan dy programe, i afërt dhe më i largët. Për të parin, meqenëse në bërthamën tonë kemi anëtarë, të cilët vijnë nga institucione profesioniste të kulturës në Shqipëri, nisëm punën për përgatitjen e një shfaqjeje artistike.
Dhe ja, rasti më i mirë ishte që atë t’ia kushtonim pikërisht Festës së Flamurit tonë Kombëtar, 101-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Titulli i saj ishte, “Mirëse erdhët midis nesh! – Benvenuti tra noi!”, duke synuar që të jetë një festë e përbashkët, shqiptare-italiane.

Mbrëmja festive u bë të hënën më 25 nëntor. Fjalën e mirëseardhjes, në fillim të shfaqjes, e mbajti sindaku i Astit, Fabrizio Brignolo, i cili e ndoqi shfaqjen në sallë. Sigurisht, kjo gjë i befasoi pjesëmarrësit dhe vetë artistët, aq më teper që i gjithë spektakli ishte në gjuhën shqipe. Por ai u dëfrye bashkë me shqiptarët, qytetarët e rinj të bashkisë së tij, dhe e shprehu hapur  entusiazmin e tij, si për shfaqjen ashtu edhe për pjesëmarrësit shqiptarë.

Festa fillonte që në hollin e teatrit madhështor, ku publiku u takua me  shkrimtaren e mirënjohur, Irma Kurti, që prezantonte librat e saj,

Në sallë, shfaqja u hap me një gjetje shumë artistike dhe emocionale, nga ana e regjisorit, si hyrja në sallë e fëmijëve, të veshur me ngjyrat e Flamurit, me shqiponjat në gjoks dhe me shkrimin “SHQIPERIA ose “ALBANIA”, me lule dhe flamujt e të dy vendeve në duar, të cilët i përshëndetën nxehtësisht të pranishmit në shfaqje. Nën tingujt e valles së Tropojës, ata vrapuan drejt skenës, duke na bërë një dhuratë të paharruar, me interpretimin e asaj valleje, punuar aq mjeshtërisht dhe me aq kujdes nga balerina shqiptare, me origjine lituane, Irina Syceva.

“Tani ju do të shihni një valle popullore, luajtur  emocionalisht dhe me mjeshtëri nga fëmijët tanë, në sytë e të cilëve shohim me gëzim, se kenga dhe vallja shqipe do të rrojnë në jetë të jetëve”, ishte teksti i fillimt të dy paraqitësve të aftë të programit të shfaqjes, Vilma Gjyshja-Bjeshkza dhe Marjan Bjeshkza. Ndërsa pjesëmarërsit u shprehën: “Me shfaqje e organizime të tilla, jemi krenarë që jemi shqiptarë!” Sigurisht, kjo ishte vlerësimi dhe kënaqësia më e madhe, si për organizaztorët e iterpretuesit, po dhe për tërë Shoqatën tonë.

Kështu, tani me kënaqësi pohojmë se shfaqja, e organizuar këto ditë në qytetin Asti, ishte e pasur me përbërës të mirëfilltë artistikë, si: valle e këngë popullore nga të gjitha trevat tona, por dhe me balet. U duartrokitën nxehtësisht artistët tanë të njohur, të ftuar posaçërisht për këtë shfaqje: Artiola Toska, Mustafa Mehja dhe Ermal Mamaqi. Humori i të mirënjohurve parodistë të Vlorës, si dhe poezitë e të madhit Atë Gjergj Fishta, transmetuan emocione të fuqishme te të gjithë të pranishmit në sallë. Me duartrokitje të shumta u shoqëruan edhe interpretimet e balerinët Leon Cino e Beatrice Carbone.

Mund të përmendnim këtu punën e palodhur të disa vetave, për këtë shfaqje. Po, ndër ta, po veçojmë: Kujtim Skenderi, Artan Sadikaj, Eduart Gecaj, Sajmir Spahiu, Genc Velaj e Aranit Murga, pa dashur të veçojmë  atë të presidentit të Shoqërisë, Dedë Kola.

Miqtë e “AssoAlbania-Italia”, duke u shprehur krenarë për bashkëpunimin ndërmjet grupeve, u ndanë certifikata anëtarëve të “AssoAlbania-Piemonte”. Në emër të tyre folën dhe falënderuan drejtoresha, Afërdita Shani dhe presidenti, Nikolin Gjeloshi”.

Në mbyllje të këtij njoftimi të Hasan Bulçarit, regjisorit të kësaj shfaqjeje të bukur festive, për bashkatdhetarët në qytetin e Astit, nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm t’i përshëndesim dhe t’i përgëzojmë përzemërsisht organizatorët, interpretuesit, dhe të gjithë pjesëmarrësit bashkatdhetarë, në qytetin Asti!

Prof. Murat Gecaj

Bledar Bardhi. Një penë në kërkim të të vërtetës

Torino. Nisin grevën e urisë punëtorët që protestojnë mbi vinç