in

Bumçi i kërkon Vatikanit Mesharin e Gjon Buzukut

Me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet  Vatikanit dhe Shqipërisë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, mori pjesë në meshën e zhvilluar me këtë rast, drejtuar nga dekani i kolegjit të kardinalëve, një nga figurat më të larta të Selisë së Shenjtë, Kardinal Sodano.“Shqipëria është model i harmonisë fetare”

Romë, 22 tetor 2011 – Gjatë vizitës në Vatikan për 20 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bumçi vlerësoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin ishin të hershme së paku 1800 vjeçare. “Vatikani u gjend pranë shqiptarëve në orët më të vështira të historisë sonë kombëtare duke mbështetur gjuhën, kulturën, pavarësinë dhe lirinë e shqiptarëve”, ka thënë Bumçi gjatë meshës së organizuar për celebrimin liturgjik të përvjetorit.

Bumçi u ndal dhe në historinë frymëzuese të fesë dhe besimeve në Shqipëri. Sipas tij “lavdia e besimeve fetare në Shqipëri shfaqet me harmoninë e shkëlqyer fetare që ekziston në vend, por është dëshmuar edhe gjatë diktaturës, ku kleri i të gjitha besimeve, Mysliman, Bektashi, Ortodoks dhe Katolik u përball me persekutimin më të madh të epokës moderne, dhe me qëndresën e tyre ata krijuan shembuj moral për brezat e ardhshëm”.

Gjatë vizitës në Vatikan, Ministri Bumçi u takua me homologun e tij, Kardinal Ravasi, i cili vlerësoi marrëdhëniet mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe njoftoi se së shpejti do të vizitojë Tiranën, si pjesë e një projekti për nxitjen e dialogut ndërmjet kishës dhe shoqërisë. 

Në këtë kontekst, Ministri Bumçi i kërkoi homologut të tij, që Shqipëria falë shembullit të mrekullueshëm që ofron në harmoninë fetare, të jetë vendi ku të zhvillohen takime e konferenca të nivelit ndërkombëtar mbi këtë temë dhe më gjerë.

Ministri Bumçi takoi gjithashtu dhe drejtuesit e Bibliotekës së Vatikanit, të cilëve u kërkoi që libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, Meshari i Gjon Buzukut, që gjendet në këtë Bibliotekë të sillej në Shqipëri vitin e ardhshëm, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

 

Celebrim liturgjik për 20-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri Vatikan

Kërkohej në Shqipëri, arrestohet në Iseo