Qeveria lë në fuqi shumat dhe kriteret e vitit të shkuar. U takojnë italianëve dhe të huajve
Romë, 15 shkurt 2016 – Gjithçka mbetet siç ishte një vit më parë. Në 2016-tën nuk ndryshojnë çeku për familjet me shumë pjesëtarë dhe çeku për nënat e reja, ndihma që Komunat u japin familjeve italiane dhe të huaja më në nevojë.
Shumat dhe kriteret për marrjen e tyre (të ardhurat tavan për bërthamat familjare) zakonisht rriten nga pak nga viti në vit në bazë të ecurisë së çmimeve dhe për rrjedhojë të kostos së jetesës. Por meqë vitin e shkuar është regjistruar një ndryshim negativ, -0,1% (nuk ka pasur rritje të kostos së jetesës, përkundrazi ajo është ulur), Presidenca e Këshillit të Ministrave njoftoi se në 2016-tën mbeten në fuqi të njëjtat vlera të vitit 2015.
Çeku i mëmësisë, që u jepet nënave që sapo kanë lindur, birësuar apo marrë në besim një fëmijë (praktikë pre-birësim) gjatë këtij viti, do të jetë maksimumi 338,89 € në muaj, për pesë muaj. Vlera e treguesit të situatës ekonomike ekuivalente (ISEE) për ta përfituar është 16.954,95 €.
Mund ta kërkojnë qytetaret italiane, të Bashkimit Evropian dhe të vendeve jokomunitare (shih në fund të shkrimit kriteret për këto të fundit) që nuk kanë përfitime të tjera shoqërore. Kërkesa paraqitet në Komunën e rezidencës brenda gjashtë muajve nga lindja apo birësimi apo pre-birësimi.
Çeku për bërthamat familjare, që u jepet familjeve me të paktën 3 bij të mitur, për vitin 2016 do të ketë shumën maksimale 141,30 € në muaj e do të jepet 13 herë. ISEE e referimit është 8.555,99 €.
Bërthamat familjare mund të përbëhen nga shtetas italianë, të BE-së dhe të vendeve jokomunitare (shih në fund të shkrimit kriteret për këta të fundit). Edhe në këtë rast kërkesa paraqitet në Komunën e rezidencës, e bëhet brenda 31 janarit të vitit që pason atë për të cilin kërkohet çeku.
Kujdes: shtetasve jokomunitarë, INPS-i, nga arkat e të cilit paguhen këto çeqe, vazhdon t’u kërkojë kartën e qëndrimit apo lejeqëndrimin BE për qëndrues afatgjatë. Në të vërtetë, një direktivë evropiane që duhet zbatuar (2011/98) ua shtrin të drejtën e këtyre lloje ndihmash të gjithë të huajve mbajtës të një lejeqëndrimi të thjeshtë që lejon punësimin. Ndaj këta të fundit këshillohen të paraqisin kërkesën e nëse INPS-i ua hedh poshtë do të jenë të detyruar t’i drejtohen gjykatës për të fituar të drejtën e tyre.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)