Tiranë, 24 nëntor – Sipas ATSh-së, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar se dispozitat zbatuese të Kodit Doganor për mallrat në bagazhin personal të udhëtarëve përcaktojnë përjashtimin nga taksimi të mallrave që vinë nga vendet e Bashkimit Europian me vlerë deri 30.000 lekë për çdo udhëtar mbi 15 vjeç, ndërsa për udhëtarët nën këtë moshë kjo shumë reduktohet në 15.000 lekë.
Në bazë të protokolli 4 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit “Perkufizimi i Produkteve Origjinuese”, neni 26, “Përjashtimi nga vërtetimi i origjinës” përcaktohet se nuk është nevoja për paraqitjen e vërtetimit të origjinës për të përfituar tarifat preferenciale në momentin e zhdoganimit për importet, të cilat janë të rastësishme dhe përbëjnë vetëm produkte për përdorim personal nga marrësi ose udhëtari ose familjarët e tyre dhe nuk do të konsiderohen si importe për qëllime tregtie nëse nisur nga pikëpamja e natyrës dhe sasisë së produkteve është evidente që nuk ka qëllime tregtie për to.
Për më tepër, sqaron autoriteti doganor, vlera totale e këtyre produkteve nuk duhet të tejkalojë 500 euro në rastin e pakove të vogla ose 1 200 euro në rastin e produkteve që janë pjesë e bagazheve.
“MSA për rastet dhe shumat e mësipërme parashikon përjashtimin e udhëtarëve që vijnë nga BE nga detyrimi për paraqitjen në dogane të Vërtetimit të Origjinës për të përftuar nga tarifat preferenciale në momentin e deklarimit dhe zhdoganimit të këtyre mallrave dhe jo përjashtimin e udhëtarit nga detyrimet doganore, TVSH apo akciza”, thanë burimet zyrtare doganore.
Në bazë të legjislacionit doganor, hartuar me asistencën e BE-së, për udhëtarët që hyjnë në Shqipëri parashikohet kufiri sasior i produkteve të pataksuara.
a. produkte duhani:
– 200 cigare, ose 100 cigarillo (cigare me peshë maksimale prej 3 gramë secila) ose 50 puro, ose 250 gramë duhan, ose përzgjedhje në përpjesëtim të drejtë i këtyre produkteve të ndryshme;
b. alkooli dhe pijet alkoolike:
– 1 litër pije të distiluara dhe alkoole me fortësi alkoolike ndaj volumit më të larte se 22%, ose alkool etilik i pa denatyruar me forcë alkoolike ndaj volumit 80% dhe më shumë,
– 2 litra: pije te distiluara dhe alkoole dhe aperitivë me bazë vere ose alkooli, tafia, sake, ose pije te ngjashme me fortësi alkoolike ndaj volumit që nuk e kalon 22%, ose verëra të gazuara, likere, ose një përzgjedhje në përpjesëtim të drejtë e këtyre produkteve të ndryshme,
– 2 litra verëra të zakonshme;
c). 50 gramë parfume ose 0,25 litra kolonjë;
d). produkte mjekësore në sasi të nevojshme për të plotësuar nevojat personale të udhëtarit.
Nuk jepet përjashtim për mallrat e përmendura në paragrafin (a), për udhëtarët nën moshën 15 vjeç. Po ashtu nuk jepet përjashtim për mallrat e përmendura në paragrafin (b), për udhëtarët nën moshën 18 vjeç.
Reagimi i Administratës Doganore erdhi pasi në disa prej mediave u shkrua për taksimin në kundërshtim me MSA që i bëhet qytetarëve shqiptarë për mallrat që kanë në bagazhet personale kur vijnë nga vendet e BE: Sipas këtyre mediave, qytetarët shqiptarë në momentin që kalojnë doganën me mallra mbi vlerat 30.000 mijë lekë taksohen 5-15% gjë që bie ndesh me MSA që lejon vlera të pa taksuara për mallra që janë në bagazhet personale në vlerë deri 1.200 euro.