in

Ekzekutim me armë zjarri në mes të Tiranës

Droga nga Shqipëria, urdhër-arrestet nga Italia

(Bota Shqiptare 111, korrik 2004)

Një operacion i bujshëm arrestimesh të policisë shqiptare çon në pranga “peshqit e vegjël” të një rrjeti trafikantësh droge nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet kishin nisur nga Italia

Ishte sukses apo dështim operacioni më i fundit i policisë shqiptare që çoi në arrestimin e anëtarëve të një grupi të akuzuar se ishte pjesë e një rrjeti që transportonte drogën nga Italia në Shqipëri? Sipas policisë shqiptare sukses i paparë, sipas analistëve dhe shtypi një dështim pasi ka çuar pas hekurave vetëm peshqit e vegjël.

Operacioni i quajtur “Kompas” edhe pse u deklarua nga polica si i shkallës së gjerë që luftonte trafikun e drogës drejt Italisë nga qytete të shumta shqiptare, u mbyll me arrestimin e vetëm pesë vetëve dhe shoqërimin në polici të disa të tjerëve. Mes këtyre të fundit vëmendjen e tërhoqi Inis Gjoni , një modele kopertinash, e shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje si e dashura e një prej të arrestuarve,  Arjan Selimit. Gjoni u la më pas e lirë.

Emrat e të arrestuarve ishin vënë në listë nga Italia ku edhe kishin nisur hetimet, Rosanna Venditti, zëvendësprokurore për çështjet penale të Molises, drejtoi në të njëjtën kohë ndërsa kryheshin arrestimet në Shqipëri, arestimet e veta për operacionin homolog të “Kompasit”. Operacioni italian quhej “Last Dinner” , Darka e fundit, (e po qe se nuk do të kishim dyshime mbi fantazinë banale të emrave të operacione italiane mund të mendonim se kumbimi biblik i operacionit ka të bëjë me një “judë” të infiltruar..) dhe çoi në pranga dy vetë që dyshohen si drejtuesit italianë të rrjetit. Federico Bevilacqua, 50 vjeç, dhe vajza e tij Vincenzina.

Sipas burimesh të cituara nga shtypi, hetimi zgjaste prej rreth një viti. Në përgjimet e shumta të kryera  dëgjohen drejtuesit e organizatës, që japin urdhra dhe organizojnë lëvizjet e heroinës, që nisej në Afganistan, përpunohej në Turqi, trafikohej mes Bullgarisë, Maqedonisë dhe më pas Shqipërisë e Malit të Zi. Sipas një të përditshmeje italiane hetimet kanë filluar në qershor 2003 me arrestimin në Molise tar me 36 kilogramë heroinë. Këtu ka filluar edhe hetimi për organizatën.

Nuk i bindet togës së shoqërimit, e sjellin zvarrë e të gjakosur
(Bota Shqiptare 152, maj 2006)

Videoja e tij me të dashurën Inis Gjoni në një seancë seksi e droge ka bërë xhiron e gjithë celularëve. Por ka përfunduar sërish në qendër të  kronikës Arjan Selimi, në burg për trafik droge. Kësaj here pasi është sjellë në sallën e gjykatës me forcë, i zhveshur, i gjakosur dhe me skafandër në kokë. Policia e ka tërhequr zvarrë për në gjykatë pasi ai vetë nuk ka dashur të paraqitet, në shenjë proteste  për publikimin e videos. Edhe pse ai që ka xhiruar e shpërndarë atë video mund të ketë qenë vetë Selimi. Avokati i Selimit ka denoncuar policinë për dhunë, policia ka denoncuar Selimin për rezistencë.