Gjykatësi i Mbikëqyrjes Alessandro Margara: “Në këtë rast dështimi është i institucioneve”
“Kur një histori si ajo e Kalicës, me gjithë punën e bërë mbi veten dhe me të tjerët, shkon e përfundon kështu, dështimi është i gjithi i institucioneve” shkruante mbi historinë e Elton Kalicës, pak para lirimit të tij nga burgu, gjykatësi i Mbikëqyrjes Alessandro Margara, një nga baballarët e ligjit Gozzini (mbi trajtimin e barabartë për të gjithë të burgosurit), sot Garant i të drejtave të individëve të privuar nga liria personale për Krahinën e Toskanës. Dhe e kishte fjalën për faktin që Elton Kalica nuk përfitoi asnjë lehtësim, asnjë masë alternative me burgun, që do të mund ta dëbonin nga Italia me të fituar lirinë. Fjalët e tij marrin akoma më shumë kuptim tani që 35 vjeçari është “riburgosur” në një tjetër lloj burgu. Me motivin e pamundësisë për ta dëbuar për shkak të një procedimenti penal në vazhdim. Por me një veçanti, që ai procedim penal në të vërtetë është mbyllur, që për atë padi për zënie të vitit 2003 Kalica është shpallur krejtësisht i pafajshëm.
Sidoqoftë, ja çfarë shkruante Alessandro Margara për 35 vjeçarin pak përpara se ai të lirohej nga burgu:
“Elton Kalica është akoma aty, do të dalë kur të përfundojë dënimin, nuk kanë konsideruar të arsyeshme që të dilte përpara. E megjithatë kur mu ilustrua rasti i tij, pranimi i një mase alternative më dukej i mundur. Ka shlyer dënimin në mënyrë konstruktive, u angazhua kryesisht me të tjerët dhe me revistën dhe sitin Ristretti Orizzonti: duhet menduar që, përmes këtyre aktiviteteve, ai ka ushqyer interese krejt të ndryshme nga ato që vite më parë e çuan në burg. Dhe unë shpresoj që ai të mos arrijë në konkluzione negative nga konstatimi që burgu, me ligjet e tij të ngatërruara, nuk ka mundur ta ripaguajë për gjithë çka bërë. (…)
Në vitet 1991-1992 dyert e burgut u mbyllën për kriminalitetin e rëndë, duke lidhur përfitimet me bashkëpunimet me drejtësinë. Por më pas u fraksionuan ndalimet, të shtuara në çdo drejtim, për të gjitha krimet që kishin vëmendjen e shtypit.
Elton Kalica mbeti në mes të gjitha këtyre shtrëngimeve, që u bënë dalëngadalë të pakuptueshme edhe për vetë gjykatësit. E kështu Elton Kalica ka shlyer të gjithë dënimin e tij me përfitimin modest të lirimit të parakohshëm, por nuk mundi të përfitonte masë alternative, që sot do t’i lejonin zgjidhje të ndryshme nga dëbimi, që mund ta presë, me të fituar lirinë. Është e mundur që të ketë dështime në situata kur zgjidhen rrugë të tjera ndërhyrjesh. Por kur, në prani të një pune mbi veten e me të tjerët, si ajo e kalicës, shkon e përfundon kështu, dështimi është i gjithi i institucioneve”.
Lexo edhe: Minutat e fundit pas hekurave