in

I ftohti polar përfshin mbarë Shqipërinë

Kukës. Reshjet e borës dhe erërat e forta përkeqësojnë situatën në zonën verilindore

Erërat e forta të shoqëruara edhe nga reshje dëbore kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në zonën verilindore, aq sa ka qenë thuajse e pamundur puna për rihapjen e akseve rrugore, që ndodhen të bllokuar prej ditësh nga dëbora.

Një gjë e tillë vërehet edhe në rënien e ndjeshme të temperaturës që në qytetin e Kukësit ka zbritur në minus 18 gradë celcius.

“Situata është rënduar ndjeshëm si pasojë e erërave të fuqishme që të shoqëruara me reshje dëbore kanë vështirësuar ndjeshëm punën për rihapjen e akseve rrugore”, tha për ATSH-në përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit Azem Tema.
Sipas tij, pavarësisht situatës së rënduar lëvizja e mjeteve në segmentin e autostradës Morin -Kukës -tunel është i kalueshëm nga mjete të tonazhit deri në 3,5 tonë, ndonëse në shumë segmente me zinxhirë. Në këtë segment të autoastradës kontrolli i situatës vazhdon të mbahet nga 12 borëpastruese.

Rënia e ndjeshme e temperaturës ka bërë që pjesa më e madhe e lokaleve private të mos hapen. Ndërsa lëvizja e banorëve është minimizuar thuajse krejtësisht. Në punë janë vetëm pak mjete që po përpiqen të rihapin akset kryesore rrugore të qytetit të bllokuar gjatë natës nga erërat dhe dëbora e rënë, që ka bllokuar deri edhe hyrjet e pallateve.

Ndërkohë, gjatë natës së kaluar thuajse ka qenë e pamundur vazhdimi i punës për rihapjen e akseve rrugore të bllokuara. Kjo ka bërë që sërish janë të izoluara komunat e Topojanit, Zapoodit, Shishtavecit, Ujmishtit, Grykë Cajës, Kalisit, Malziut, Arrnit dhe Surrojit.

Ndërkohë, përkeqësimi i situatës ka sjellë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në aksin rrugor Shëmri- Qafë Shllak, ku vazhdojnë punën 2 borëpastruese. Ndërsa është i kalueshëm aksi rrugor Kukës-Draj Rec deri në fshatin Domaj.

Në këtë segment rrugor punojnë 2 mjete borëpastruese, ndërsa trashësia e dëborës arrin në rreth një metër. Ndërsa është i kalueshëm aksi rrugor Kukës- Krumë, aks rrugor që po mbahet nën kontroll nga 2 mjete borëpastruese.

Thuajse e njëjta situatë është edhe në rrethet e Hasit e të Tropojës. Në këto dy rrethe vemendja është përqëndruar në mbajtjen hapur të akseve rrugore Bajram Curri – Qafë Morinë dhe Krumë- Qafë Prush, që lidhin banorët e këtyre dy rretheve me Kosovën, por edhe me pjesën tjetër të vendit përmes autostradës.

Ndërsa në rrethin e Tropojës vazhdojnë të jenë të izoluar 5 nga 7 komunat e rrethit, ndërsa në rrethin e Hasit të izoluar janë 25 nga 32 fshatrat e rrethit.

Pavarësisht situatës së rënduar, deri tani nuk janë shfaqur probleme emergjente shëndetësore në zonat e izoluara nga dëbora.

Në qarkun e Kukësit shumë fshatra janë pa energji elektrike si pasojë e motit të keq, që ka përshirë zonën verilindore të vendit.

“Si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve të dëborës janë shkaktuar dëmtime të ndjeshme në rrjetin elektrik duke lënë në errësirë 3 lagje të qytetit të Kukësit, komunat e kolshit, Surrojit, Bushtricës dhe Kalisit në rrethin e Kukësit, qytetin e Krumës dhe fshatrat e Vlahnës dhe Helshanit në rrethin e Hasit dhe komunën e Lekbibajt në rrethin e Tropojës”, tha përgjegjësi i zyrës së kompetancave vendore në prefekturën e Kukësit Shkëlqim Dulla.

Në kushtet kur erërat e fuqishme dhe reshjet e dëborës vazhdojnë është vështirësuar regullimi i defekteve të shfaqura në rrjetin elektrik. Grupet e punës kanë nisur punën për eliminimin e defekteve të shkaktuar gjatë natës së kaluar.

Ndërkohë, që situata është vështirësuar në të gjithë rajonin që nga zonat e ulta e deri në zonat më të thella, ku trashësia e dëborës ka arritur në mbi 2 metër.

Leggende metropolitane o segnali criptati?

Kosovë, temperaturat arrijnë deri në -22 gradë celsius