Qafa e Llogorasë. E hapur, por këshillohet qarkullimi me zinxhirë
Pavarësisht ngricave dhe akullit të krijuar si pasojë e rënies së vlerave të temperaturave dhe e reshjeve të dëborës të para pak ditëve, në rrugën që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë, qarkullimi i automjeteve vazhdon normalisht.
Drejtori i Ndërmarrjes Rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve Edmond Ibro, thotë për ATSH-në se po merren masat e nevojshme për të mos krijuar shqetësime për drejtuesit e automjeteve. “Punonjës dhe mjete janë në terren dhe po ndërhyjnë përgjatë gjithë segmentit që përshkon këtë qafë, duke hedhur kripë dy herë në ditë, çka është shoqëruar me përmirësimin e kushteve të qarkullimit”, thotë Ibro. Sipas tij aktualisht, automjetet qarkullojnë normalisht, por drejtuesit e tyre janë këshilluar të përdorin zinxhirët.
Pak ditë më parë në këtë zonë ranë reshje dëbore që krijuan vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Gjatë dy muajve të fundit kjo situatë është përsëritur disa herë për shkak të reshjeve të dëborës, por ndërhyrja me mjete borëpastruese dhe hedhje kripe duket se ka normalizuar qarkullimin brenda një kohe relativisht të shkurtër.