Mblidhet Komiteti ndërministror për emergjencën
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani zhvilloi pasditen e sotme mbledhjen e parë të komitetit ndërministror të emergjencave civile, ku adresoi edhe detyrat kryesore për shkak të situatës së vështirë meteorologjike, e cila ka krijuar probleme të shumta në zona të ndryshme të vendit.
Nishani tha se ngritja e shtabit qendror për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e borës do jetë 24 orë në gatishmëri dhe në kontakt me nevojat dhe emergjencat, në zbatim të një plani veprimi.
Në krye të këtij operacioni, theksoi Nishani, do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile që do merret me shkëmbimin e informacionit me një sërë institucionesh lokale e qendrore, ndërsa kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit përgatitjen e paketave dhe rezervave ushqimore për t’u shpërndarë për komunitetin në rast nevoje në zonat e prekura.
“Për MPPT, kërkohet menaxhim dhe monitorim i kontratave për mirëmbajtjen e rrugëve, të monitorohet menaxhimi i mjeteve si skorie dhe kripë, të nevojshme për zhbllokimin e rrugëve”, tha Nishani dhe shtoi se Ministria e Bujqësisë, duhet të sigurojë rezerva të nevojshme për gjënë e gjallë, në zonat e bllokuara, apo sipas kërkesave në vazhdim.
“Ministria e Shëndetësisë të sigurojë furnizimin e plotë në rast kërkesash me medikamente nga emergjencat rajonale, një ekip mjekësh në gjendje gatishmërie në rast nevoje. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkohet të mbajë nën kontroll procesin e mësimdhënies, kushtet apo vendimet për pezullimin e procesit në varësi të situatës”, tha Nishani.
Më tej shtoi ai, “duhet të vëmë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për rrugët e bllokuara. Kërkohen 5 borëpastruese në akset kryesore, si dhe pajisja e tyre me skorie e kripë. Në gatishmëri të situatës edhe helikopterët për ndërhyrje nga ajri”, theksoi më tej Nishani.