in

ISTAT: Shqiptarët e Italisë janë 466.684

Nga të huajt, 11% janë shqiptarë, që mbeten komuniteti i dytë pas rumunëve

Shqiptarët mbeten komuniteti i dytë i të huajve në Itali. Kanë kaluar nga 441.396 të 1 janarit 2009 në 466.684 të 1 janarit të këtij viti, me rritje vjetore prej 25.288 personash. Rritja është më e lartë për gratë ( +14.060) dhe më e ulët për burrat (+11.219), për arsye se kjo rritje u detyrohet kryesisht bashkimeve familjare, lindjeve dhe faktit që vitin e shkuar nuk ka pasur ardhje për punë.

Shqiptarët janë të pranishëm në të gjitha krahinat, madje me përjashtim të Sardenjës, Sicilisë, Kalabrisë, Campanias dhe Lazios, në të gjitha të tjerat janë nnjë ndër tre komunitetet me numër më të lartë rezidentësh. Krahinat me më shumë shqiptarë janë Lombardia, ku jetojnë 95.761 shqiptarë, Toskana me 66.042 shqiptarë  dhe Emilia Romagna me 58.259 vetë. Mbetet një përqëndrim relativisht i lartë i shqiptarëve në Puglia ku 21.986 shqiptarët erzidentë përbëjnë 26,1% të të gjithë të huajve të pranishëm në Krahinë. Bie në sy edhe fakti që nëse në Lazio jeton mbi 10% e të huajve, nuk janë as 5% e shqiptarëve që zgjedhin këtë krahinë. Ndërsa nëse Toscana renditet e gjashta për prani të huajsh, renditet e dyta për shqiptarët.

Shqiptarët konfirmojnë shpërndarjen e tyre kapilare në territor, me praninë e tyre në të gjitha provincat, duke preferuar qendrat e vogla (73,6%) kundrejt kryeqendrave të provincave (26,4%).
Provincat me më shumë shqiptarë mbeten Milano, Brescia, Firenze, Roma e Perugia (shih tabelën). Numri i shqiptarëve është rritur në të gjitha me përjashtim të Bellunos (40 shqiptarë më pak se një vit më parë), Isernia (-33), Palermo (-14), Biella (-12), Crotone (-5), Enna (-4), Cagliari (-3), Carbonia-Iglesias (-2) dhe Medio Campidano (-1).

Edhe këtë vit vërehet që qytetet me më shumë shqiptarë janë Roma (5.657 shqiptarë rezidentë), Torino (5.510) Firenze (5.085), Milano (5.005) dhe Genova (4.885), përqendrime që as nuk kanë të krahasuar me ato të rumunëve, të cilët janë mbi 65 mijë rezidentë në Romë, apo mbi 51 mijë në Torino, për shembull.

Shqiptarët në Provincat italiane

Shqiptarët në Krahinat italiane

Lexo edhe: ISTAT: Mbi 4,2 milionë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë në Itali

ISTAT: Mbi 4,2 milionë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë në Itali

Itali-Serbi, tifoze serbe djegin flamurin shqiptar