in

Komuniteti shqiptar në Itali në shifra. Raporti i ri

Portali qeveritar Integrazione Migranti boton 15 raporte mbi po aq komunitetet e huaja më të mëdha në Itali. Nuk mund të mungonte ai mbi shqiptarët

 

Romë, 11 shkurt 2016 – Shpesh në Itali i konsiderojnë gjithë migrantët si një kategori të vetme sikur të ishin të gjithë njësoj, pa mbajtur parasysh se bëhet fjalë për milionë njerëz që vijnë nga të gjitha anët e botës e natyrisht janë shumë të ndryshëm nga njëri tjetri.

Për të parë më në detaj e për të zbuluar sa e shumëllojshme është kategoria e imigrantëve apo e “italo-të huajve” është e udhës t’u hidhet një sy 15 raporteve të botuara në janar në portalin Integrazione Migranti të ministrisë së Punës. Është një për 15 komunitetet jokomunitare më të mëdha të pranishme në Itali: komuniteetin shqiptar, bengalez, kinez, ekuadorian, egjiptian, filipin, indian marokin, moldav, pakistanez, peruvian, senegalez, srilankez, tunizian dhe ukrainas.

Raportet përmbledhin të dhëna (janë ato që tashmë dimë nga burime të tjera por të gjitha së bashku) e tregojnë aspekte të ndyshme të çdo komuniteti.

Kështu për shqiptarët, komunitet historik tashmë në Itali, vërehet frenimi i rritjes. Më 1 janar 2015 janë 498.419 persona, 4.127 vetë më pak se një vit më parë. Ka rënë në vite edhe “pesha” e shqiptarëve mes imigrantëve: në vitin 2008 përpënin 15,5% të të gjithë të huajve, në 2015-tën përbëjnë vetëm 12,7%.  Por kjo rënie është mëse e justifikueshme nga faktorë të ndryshëm. Arsyet e frenimit duhen parë në radhë të parë në rënien e fortë të viteve të fundit të ardhjeve për punë, kryesisht shqiptarët vijnë në Itali me bashkim familjar. Nga ana tjetër rezulton në rritje numri i shqiptarëve që largohen nga Italia. Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, gjatë vitit 2013 janë larguar 2.296 shqiptarë, 28% më shumë se një vit më parë. Por kjo prirje vërehet edhe për italianët e komunitetet e tjera: nga 2007 deri në 2013, flukset në dalje janë mëse dyfishuar, duke kaluar nga 51 mijë në 127 mijë.

Por gjithsesi shifrat e mësipërme nuk tregojnë tkurrje të pranisë së shqiptarëve në Itali. Mjaft të mbajmë parasysh që gjithnjë e më shumë shqiptarë dalin nga radhët e imigrantëve për marrjen e shtetësisë italiane. 21.148 shqiptarë janë bërë edhe italianë vetëm gjatë vitit 2014, ose 55% më shumë se një vit më parë.

Komuniteti shqiptar është thuajse i barazpeshuar përsa i përket gjinisë: 52% janë meshkuj e 48% femra. Të miturit janë 138.182 e përbëjnë 27,7% të të gjithë komunitetit ndërsa shqiptarët nën moshën 30 vjeç përbëjnë 48,9% të të gjithë shqiptarëve të Italisë, që dëshmon se është komunitet më i ri (në moshë) se mesatarja e të gjithë imigrantëve (42,8%).

Fëmijët e adoleshentët shqiptarë në bankat e shkollave italiane gjatë vitit shkollor 2014/2015 janë 108.331 dhe përbëjnë 17,6% të të gjithë nxënësve jokomunitarë. Shqiptarët rezultojnë prej vitesh tashmë komuniteti më i madh mes studentëve universitarë të huaj në Itali. Gjatë vitit akademik 2014/2015 studentët shqiptarë në Itali janë 10.638 ose 19,3% e të gjithë studentëve jokomunitarë.

Por komuniteti është i pari edhe në një tjetër aspekt aspak pozitiv. Sipas raportit, të rinjtë shqiptarë nga 15 deri në 29 vjeç që as punojnë as studiojnë janë 54.199 ose 21,4% e të gjithë jokomunitarëve të kësaj kategorie. Gjithsesi, kundrejt një viti më parë numri i tyre është ulur me 8% ose 4.769 vetë.

Çdo 5 shqiptarë, 3 jetojnë në veri të Italisë. Në Lombardi, në veçanti, vërehet përqendrimi më i madh i komunitetit: jeton aty mëse një e pesta e shqiptarëve. Karakteristike është prania e fortë në Toskanë ku jetojnë 72.619 vetë.

Që shqiptarët janë të integruar dhe kanë hedhur rrënjë në territorin italian e dëshmon fakti që rreth 70% e tyre kanë kartën e qëndrimit (kundrejt 57,2% e të gjithë të huajve), ndërsa 30% të tjerë kanë lejeqëndrime të përtëritshme. Nga shqiptarët me leje të zakonshme, është motivi familjar arsyeja kryesore e qëndrimit dhe e përtëritjeve (52,5%) ndërsa lejet për punë janë 62.388 (41,6). Për motive studimi jetojnë në itali 2,4% e të gjithë shqiptarëve ndërsa 3,6 të tjerët kanë leje të lëshuara për motive të tjera (azil, motive humanitare, kura mjekësore etj).

Përsa i përket integrimit në tregun e punës, sektorët ku më shumë punojnë janë ndërtimi (28%) dhe industria (20%). Papunësia e komunitetit është 22,7%. Por më shumë detaje mbi situatën ekonomike e shoqërore të shqiptarëve të Italisë do të mund të lexoni së shpejti në një tjetër shkrim.

Këtu gjeni raportin e plotë mbi komunitetin shqiptar: La comunità albanese in Italia

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

I kapur pas barkës që fundoset, ja si shpëtohet refugjati në mes të detit (video)

Shtetësia italiane. “Kryebashkiaku nuk mund t’i ndalojë betimin kujt nuk di italisht”