in

Mesazhi largpamës i Nënë Terezës

Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës një skenë faustiane e punës së përbashkët njerëzore do ta kënaqte më shumë atë sesa ceremonitë përkujtimore. Ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse: “Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin.” Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar”
nga Donika OMARI  – botuar në Bota Shqiptare nr. 95, nëntor 2003

Personalitete të mëdha të shekullit IX e kanë quajtur shekullin XX si një të ardhme ku, falë përparimit të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, arsyeja do të triumfonte mbi paragjykimet. Në shumë drejtime ata kishin të drejtë. Ndër të tjera që një grua të arrinte një njohje e vlerësim ndërkombëtar siç është rasti i Nënë Terezës, kjo mund të ndodhte vetëm në shekullin XX, falë natyrisht edhe përparësive të komunikacionit që ofron koha jonë.

Shekulli XX ka shënuar përparime, zbulime, zhvillime të hatashme në shkencat, teknologji, në mendimin njerëzor. Falë këtyre arritjeve jeta e njeriut është bërë më e gjatë dhe më e lehtë materialisht. Shoqëria e konsumit e shtyn njeriun të priret për të arritur me çdo kusht e sa më shpejt mirëqenien e lumturinë. Të gjithë lakmojnë të jetojnë mes rregullit, pastërtisë, shëndetit, të jenë të rrethuar me gjëra të bukura, të shijojnë përparësitë materiale të kohës sonë. Dhe ja ku del një grua e thjeshtë dhe i lë mënjanë të gjitha këto e, duke iu përgjigjur thirrjes së idealit të saj, zgjedh përkundrazi të jetojë mes varfërisë më të skajshme, mes sëmundjeve e fatkeqësive, erërave mbytëse të plagëve, lodhjes deri në rraskapitje, vetëm një hap larg vdekjes, dhe kjo zgjedhje e saj ka vlerën e një revolucioni.

Natyrisht që heronj të tjerë të njerëzimit kanë bërë zgjedhjet e tyre; shkencëtarë të mëdhenj, burra shteti të shquar, artistë që na mahnisin. Njerëzimi u është mirënjohës për ndihmesën që kanë dhënë për zbutjen, ngritjen, pasurimin e shpirtit njerëzor. Por ajo që na duket unikale te Nënë Tereza është masa e dashurisë së saj, ai përkushtim i plotë dhe ai mohim total i vetvetes në shërbim të tjetrit.

Kushtet që bënë të mundur dukurinë Nënë Tereza qenë shpirti i saj i ndjeshëm, brumosja me mësimet e larta të fesë së saj e me traditat e familjes që kishte ruajtur virtytet më të mira të kombit shqiptar, si edhe India. Gonxhe Bojaxhiu, një vajzë gazmore që u rrit e rrethuar nga dashuria e harmonia familjare, e mësoi qysh në vegjëli se vuajtja e të tjerëve i përkiste edhe asaj. Po as ajo vetë nuk do ta merrte me mend se deri në ç’shkallë flijimi do ta shpinte më vonë të kuptuarit se vuajtja e të tjerëve i përkiste krejtësisht asaj. Për të arritur në këtë absolutizim të përkushtimit e ndihmoi India.  Askund tjetër nuk shfaqej vuajtja në pamje më të dhimbshme e më poshtëruese për njeriun. Nga ana tjetër ajo rronte në një vend, udhëheqësi shpirtëror i të cilit, Gandi, thoshte: “Unë dhe ti jemi një gjë e vetme. Po të bëra keq ty, kam lënduar veten.” India e kuptoi përshpirtërinë e Nënë Terezës. Ajo ia hapi dyert dhe zemrat.Si me magji përpara kësaj gruaje të vogël binin të gjitha pengesat. Të gjithë bëheshin më të mirë përpara saj, tërhiqeshin, kujtoheshin ku bie mëshira e dhembshuria dhe jepnin, jepnin.

Ka një kulturë të të dhënit, që motivohet me përsiatje intelektuale. Psh. një arsye për të dhënë është që të mbushësh zbrazëtinë shpirtërore që mund të të krijohet nga kamja e tepërt.

Por ç`quhet të kesh tepër? Thoshte shën Jeronimi: “Në gjithçka që në të veshur a në të ngrënë kapërcen të domosdoshmen, ne jemi borxhlinj” Ndërsa Nënë Tereza nuk kishte nevojë të shpjegonte se pse duhet dhënë. Shembulli i asaj që e kishte dhënë vetveten pa asnjë kusht – dhe në ato kushte – fliste vetë.

Po Nënë Tereza jonë kishte edhe një shpirt poetik. Të thjeshta e plot ndjenjë, poezitë e lutjet e saj kanë cilësinë thelbësore të artit: janë të vetvetishme , burojnë natyrshëm. Si një nënë e vërtetë e njerëzimit merr në mbrojtje bujkun e ushtarin e të burgosurin, falënderon Zotin që pranë saj ka myslimanë e indu e që ka miq aq të shtrenjtë mes tyre, lutet që të jenë të bekuara paratë që harxhohen për të veshur të zhveshurin e për të ushqyer të uriturin, lutet për paqen, falënderon për dashurinë.Cili poet do të guxonte të përmendte paratë në poezi pa iu trembur rënies në prozaizëm?  Është e dhimbshme të kujtosh se më vështirë se kudo Nënë Tereza e pati në vendin e vet. Kam pasur fatin të isha e pranishme në disa nga ardhjet e saj në Shqipëri. E paharruar më ka mbetur në kujtesë ceremonia e dhënies së Çmimit të Republikës. Sa pak e kuptonin Nënë Terezën ata që po ia jepnin çmimin. Dy mendësi që rrinin në skaj të njëra -tjetrës: Njëra e mbyllur, mosbesuese, armiqësore dhe përjashtuese ndaj të tjerëve. Tjetra e hapur, plot dashuri e solidaritet ndaj të tjerëve, e gatshme të flijohej për ta.Nga njëra anë kulti i vetvetes, nga ana tjetër kulti i dashurisë. Por sot a kemi arritur ta kuptojmë ne më në fund Nënë Terezën? Ta kuptosh do të thotë të bëhesh i ndërgjegjshëm për mesazhin shpëtimtar të saj që është: mëshira, si edhe për filozofinë e saj të thjeshtë, që është: dashuria në veprim.

Stili i punës së saj është: pak fjalë shumë veprime konkrete pozitive. Te ne më shumë se kudo është i domosdoshëm ky stil pune: më pak fjalë e më shumë veprime të përbashkëta që do të na shpien drejt bashkimit. Se siç thoshte Nënë Tereza: “Shqipëria bëhet duke punuar së bashku.”Le të përfytyrojmë pak: katër bashkësitë fetare që ndërmarrin bashkarisht ngritjen e një shkolle, azili, apo spitali, ku të vihet tabela: Ngritur me ndihmesën dhe punën e përbashkët të bashkësive myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashiane. Le të vazhdojmë:Partitë politike dhe organizatat e ndryshme dhe aq të shumta që ndërmarrin së bashku veprimtari për të dhënë ndihmesë në përballimin e problemeve të vendit. Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës një skenë faustiane e punës së përbashkët njerëzore do ta kënaqte më shumë atë sesa ceremonitë përkujtimore.

Ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse:”Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin.” Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar. “Njeriu i heshtur, që punon pa u lodhur, rrallëherë qëllon të ketë biografi tërheqëse”, thotë diku Cvajgu. Ndërsa biografia dhe vepra e Nënë Terezës nuk pushon së na tërhequri, nuk pushon të na habisë dhe emocionojë.  Sepse e gjithë jeta e saj është një betejë e paparë, e përmasave të asaj të Shën Françeskut, kundër egoizmit, për të arritur harrimin e vetvetes, përuljen. Ndërsa lexon për jetën e saj, të krijohet përshtypja se as ajo vetë nuk ia njihte vetes ato cilësi të jashtëzakonshme që i lejuan të bëhet Nënë par-excellence e njerëzimit. Me një zemër të apasionuar, e mençur, praktike, këmbëngulëse, e aftë për flijim, e aftë për besim të palëkundur, por mbi të gjitha e thjeshtë dhe e përulur, të gjitha këto cilësi pati rastin t`i vërë në provat më të pamundura, duke mos kërkuar mirënjohje ose, aq më pak, lavdi për vete. Ajo nuk e kërkoi lavdinë, ia dhanë të varfrit e saj dhe ia njohëm ne, njerëzit e pjesës tjetër të botës të lidhur fort pas rehatit e egoizmit tonë, që na hyjnë tmerri e dridhmat vetëm ta mendojmë se si mund të pastrohen plagët e një lebrozi. “As për një milion dollarë nuk do ta bëja këtë punë,”- i tha njëherë një gazetar. “As unë”, iu përgjigj ajo me dy fjalë. Asnjë fjalë të tepërt nuk gjen në këshillat që u jep motrave të urdhrit. Ato janë sentenca të vërteta. Kundër pesimizmit i pëlqen të përdorë fjalën e urtë: “Më mirë të ndezësh një qiri se të mallkosh errësirën.” Për t`iu kundërvënë apatisë dhe disfatizmit këshillon: “Duhet vepruar sikur gjithçka të varet nga ne…të tjerat lërja Zotit.” Kundër mendjemadhësisë: “Po të gjunjëzohesh në lutje, do ta ndiesh veten më pak të përfryrë, pra më të lehtë.”Kundër papërgjegjësisë dhe përtacisë: “Gjithkush bëhet i shenjtë kur kryen mirë detyrën e vet.” Me një qartësi të habitshme, e ndihmuar nga një intuitë e thellë, di të kapë kuptimin e fshehtë të gjërave dhe, duke zotëruar mençurinë më të lartë, atë të zemrës, kap thelbësoren dhe e shpreh me fjalë thelbësore: Vetëm duke harruar vetveten e gjejmë përsëri. Varfëria është liri. Kisha jemi ne: unë dhe ti.

Spiritualiteti i Nënë Terezës nuk harron kurrë kërkesat e trupit: “Më parë u duhet përgjigjur nevojave trupore të njerëzve, pastaj tu ofrohet Krishti”. Na kujton materializmin latin: Primo vivere deinde filosofare. Këshillat e saj shërbejnë si terapi për një shëndet të mirë: Po të buzëqeshësh e ndien veten më mirë. Po të ecësh ruan freskinë tënde. Po ta ushqesh fenë tënde me lutje të vijnë prapë fuqitë.

Ajo e di që nuk mund të bëjë kushdo gjëra të mëdha dhe këshillon motrat të jenë besnike në gjërat e vogla. Në bukurinë e jashtme, në parapëlqimin për njerëzit e pashëm, për veshjet e shtëpitë e bukura dhe për stolitë sheh një kurth për shpirtin, sepse mund të ngjallin zilinë, lakminë, mospranimin e shëmtisë fizike të tjetrit, neverinë për deformimet e tij trupore. Prandaj shkon në ekstrem: zgjesh veshjen më të thjeshtë, nuk pranon asnjë stoli as në shtëpi. Bukuria për të duhet të jetë krejtësisht e brendshme. Është një sfidë ndaj sipërfaqësisë njerëzore deklarata e saj për lebrozët se janë të bukur. Sidoqoftë nuk harron kurrë të jetë realiste, të njohë e të kuptojë kufijtë e secilit: Një gruaje indu, që ndërsa ofrohej të punonte si vullnetare, i rrëfehej se nuk bënte dot pa sarit lluksozë dhe se muaj për muaj blinte nga një që kushtonte 800 rupi, i sugjeron: “Herën tjetër bli një me 500 rupi dhe me 300 të tjerat bliju sari të varfrave.” Pa ca kohësh ajo grua filloi të blinte sari për 100 rupi dhe pjesën tjetër ta falte për bamirësi. Dhe iu rrëfye Nënë Terezës se jeta e saj kishte ndryshuar kryekëput.

Ne po mbajmë sot këtu një konferencë shkencore për të. Por mund të pyetet: Ç`lidhje ka me shkencën një grua që nuk bëri ndonjë zbulim shkencor, që nuk pati lidhje me mjedise e personalitete të mirëfillta shkencore, por që bëri pjesë në atë kategori shoqërore që ka zgjedhur t`i shërbejë njerëzimit nëpërmjet së mbinatyrshmes?

E megjithatë kjo grua e thjeshtë, pa ndonjë përgatitje e kulturë të veçantë, diti ta njohë shpirtin njerëzor më mirë se psikologët më të shquar, pa qenë mjeke e madhe diti të shërojë njerëz, pa qenë poete e madhe shkroi poezi me një ndjenjë njerëzore të hollë, pa qenë financiere e madhe diti të menaxhojë miliona, pa qenë diplomate e madhe mundi të hapë të gjitha dyert, pa qenë dietologe na mësoi si rrohet me përkorje një jetë e gjatë, pa qenë specialiste e edukimit fizik na mësoi dobinë e të ecurit… Ndërsa ecja e saj do të vazhdojë në përjetësi.

Mendoj se njerëzimi ndien nevojë herë pas here për shfaqjen e personaliteteve të tilla. Pyetjet e vështira ekzistenciale, që nuk gjejnë përgjigje, përballimi i idesë së pafundësisë së universit, përpara të cilit njeriu ndien pafuqinë, vogëlsinë, kotësinë e vet, ankthet, frikërat dhe pasiguritë përpara së panjohurës, por edhe tmerri përballë vetë egoizmit të vet, të gjitha këto e shtyjnë të kërkojë një strehë sigurie për t`u mbrojtur madje edhe nga vetja, të krijojë pra Zotin. Por që të vazhdojë të besojë në të, i duhen dëshmi konkrete herë pas here. Prandaj kemi figurat e Mojsiut, të Krishtit e të Muhametit, që frymëzojnë gjatë shekujve përtëritës të besimit. Thoshte Nehrui: “Të ishin të gjithë të krishterët si Nënë Tereza të gjithë do të bëheshin të krishterë.” Zoti do të ekzistojë sa kohë të ekzistojnë figura të tilla që e dëshmojnë atë (pra idenë e dashurisë, të mëshirës) me një dashuri e mëshirë totale.

Është interesante të vihet re se edhe vetë Nënë Tereza përmend më shumë të dytin e Trinisë së Shenjtë, Krishtin, njeri të gjallë pra, me mish e kocka, sesa Zotin, që është një ide, një parim. Siç del nga njëri prej botimeve të fundit për të: “E fshehta e Nënë Terezës”, në ndonjë prej letrave të saj, ajo rrëfehet se ia përshkon shpirtin ndonjëherë mendimi i mosqenies së Zotit. Te Krishti, ama, nuk dyshon kurrë. Atë e ka si njeri shumë të dashur të familjes, me të shkëmben mendime, i kërkon këshillë. E jashtëzakonshmja e shoqëroi Nënë Terezën edhe pas vdekjes. Në varrimin e saj, për këtë të krishtere u krye bashkë me ritin katolik, edhe ai mysliman, budist, induist si edhe grupimesh të tjera fetare, çka ndodh për herë të parë në historinë shumëshekullore të feve.

Edhe me praktikat e shenjtërimit ajo po tregon se madje në radhën e shenjtorëve është e jashtëzakonshme. Sepse lumnimi që ka zgjatur më pak deri më sot, ai i themeluesit të urdhrit Opus Dei: Hozemaria Eskriva de Balaguer, ka qenë 17 vjet pas vdekjes. Për Shën Terezën dë Lisië, nga e cila mori emrin Tereza e Kalkutës, u desh të pritej 25 vjet.

Por le të dëgjojmë ç`thotë vetë Nënë Tereza për shenjtërinë e saj: “Në u bëfsha ndonjëherë shenjtore, me siguri do të jem një shenjtore që bën mungesa: se do t’ia mbath vazhdimisht nga parajsa që të shkoj e t’u ndez dritën atyre që janë në errësirë”.

Kur ne shqiptarët të fillojmë ta ndiejmë si një vuajtje vetjake të përditshme përçarjen tonë, mosmarrëveshjet tona, do të ndërgjegjësohemi për errësirën ku jemi të zhytur shpirtërisht. Do të jetë fillimi i katarsisit.

Ekskluzive! Udhëzuesi i Censimentit në gjuhën shqipe

Nga Gonxhe në Nënë Tereza, shenjtore e të varfërve