Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Biblioteka Apostolike e Vatikanit ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për të ekspozuar veprën më të lashtë në gjuhën shqipe, “Mesharin”, në Tiranë
Tiranë, 24 dhjetor 2011 – Eprorët e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kanë vendosur ta dërgojnë veprën origjinale të “Mesharit” të Gjon Buzukut në Shqipëri, në nëntor të vitit 2012, në kuadrin e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit. Njoftimin e jep ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Rrok Logu, në mikrofonin e programit shqip të Radio Vatikanit.
Përgjegjësit e Bibliotekës Apostolike, ku ruhet kopja e vetme e veprës më të lashtë të gjuhës shqipe, “Mesharit” të Gjon Buzukut, kanë marrë këtë vendim gjatë mbledhjes që patën dy ditë më parë, në përgjigje të kërkesës së ministrit të Kulturës të Shqipërisë, Aldo Bumçi.
“Meshari” i Gjon Buzukut do të ekspozohet pranë Bibliotekës Kombëtare të Tiranës, gjatë muajit nëntor 2012.