in

Mladiç, sot përpara gjykatës së Hagës

Arrestohet ish gjenerali serb i akuzuar për gjenocid në Bosnjë dhe Kroaci gjatë viteve 92-95. Sot del para gjykatës së Hagës

Romë 3 qershor 2011 – Ratko Mlladiç do të paraqitet sot për herë të parë para gjykatësve të Gjykatës penale ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavinë.

Ratko Mladiç ish-gjenerali serb i akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, në kërkim ndërkombëtar prej vitit 1996 nga Gjykata Penale ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara u arrestua më 26 maj në Serbi dhe është  transferuar në kompleksin e burgut të TPI-së në Hagë.

Ish gjenerali serbo-boshnjak, Ratko Mladiç, është një ndër kriminelët më të kërkuar në botë, i cili iu shmang arrestimit për 16 vjet me radhë. Arrestimi i tij u bë më 26 maj në fshatin Llazarevë afër Zrenjaninit, 60 kilometra në veri të Beogradit, ku jetonte pas emrit të rremë Milorad Komadic.

Me sa është bërë e ditur gjatë arrestimit, Mladiç nuk ka rezistuar. Nuk ka pasur mjekër dhe njërën dorë e ka të paralizuar. Banorët e Llazarevës u shprehën mjaft të befasuar për faktin se Mladiç ka jetuar në fshatin e tyre. Avokati i familjes së Mladiçit, Milos Shalic, theksoi se familja e tij është e lumtur që ai është gjallë dhe se ka të drejtë të takohet me të, para se ai të ekstradohet në Hagë.

Ratko Mladiç ka lindur në Bosnjë, në fshatin Kalinovik, në vitin 1942 dhe ka qenë vetëm dy vjeç kur i jati, partizan, u vra nga formacionet naziste kroate gjatë Luftës së Dytë Botërore. E natyrisht që është rritur me urrejtjen kundër kroatëve që më pas përfshiu edhe etni të tjera të ish-Jugosllavisë. Një përzierje e ultranacionalizmit me dëshirën për një hakmarrje personale. “Im bir, pati deklaruar dikur Mladiç, bën pjesë në të vetmin brez serbësh që ka arritur të njohë baballarët e vet”.  Për të lufta nuk përbënte një situatë të jashtëzakonshme.

Pasi kreu shkollën fillore, shkoi në Sarajevë, për një periudhë kohe ka punuar si saldator. Në Beograd, ai kreu Akademinë e Industrisë ushtarake. Në kohën e Titos ishte oficer i ushtrisë popullore, ku kishte mbuluar dhe poste drejtuese. Në vitin 1991 u vu në krye të Armatës së Nëntë, e dislokuar në Knin kundër forcave kroate. Më pas iu besua komanda e Distriktit të Dytë Ushtarak të ushtrisë jugosllave me bazë në Sarajevë. Por ai u bë një personalitet i njohur një vit më pas. Në 1992  Asambleja serbo-boshnjake vendosi krijimin e Republikës së Serbëve të Bosnjës (Republika Srpska) dhe në krye të ushtrisë së kësaj republike u emërua pikërisht Ratko Mladiç.

Gjatë luftës në Bosnjë ai pati shërbyer bashkë me shefin e ushtrisë Radovan Karaxhiç.  gjatë luftës në Bosnje. Bashkë me Karaxhiçin, ai ishte pjesë e fushatës spastruese të kroatëve dhe myslimanëve dhe ishte cilësuar si një nga personat më të kërkuar për konfliktin në Bosnje. Është i  akuzuar nga Gjykata e Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkeljen e ligjeve të luftës, për rrethimin e Sarajevës dhe kasaphanën e Srebrenicës. Nën komandën e tij u përzunë nga trojet e tyre dy milionë e gjysmë persona, mijëra të tjerë u torturuan, përdhunuan dhe u vranë barbarisht. Gratë përdhunoheshin për të lindur fëmijë serbë e më pas mund të vriteshin. Snajperët dhe artileria kishin si objektiv civilët të mbyllur në qytetet e rrethuara. Por Mladiç njihet veçanërisht si “xhelati i Srebrenicës”, për një episod që konsiderohet si një nga kasaphanat më të përgjakshme në historinë Evropës që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995 forcat serbe bombarduan Srebrenicën për pesë ditë rresht. Më pas trupat e kryesuara nga gjenerali Mladiç hynë në qytet të shoqëruara edhe nga ekipet televizive serbe. Një ditë më pas, disa autobuzë transportuan gratë dhe fëmijët, ndërsa burrat dhe djemtë myslimanë nga mosha 12 deri në moshën 77-vjeçare u ekzekutuan. Shifrat flasim për 8.372 të ekzekutuar, por shoqata të ndryshme flasin për më shumë se 10.000. Deri vitin e kaluar, nëpërmjet analizave të kodit gjenetik ishin identifikuar vetëm 6.414 viktima, ndërsa mbeten ende në pritje të identifikimit mijëra trupa të nxjerrë nga varrezat e përbashkëta.

Ish-gjenerali, ashtu si shumë drejtues të tjerë serbë të asaj kohe, shquhej për arrogancën e tij. Me sa dihet e quante veten “Perëndi” dhe kishte një tufëz dhish, të cilat i thërriste me emrat e leaderve perëndimorë që urrente më shumë.

Por jeta e Ratko Mladiç është e mbushur edhe me drama e dhimbje personale. Në vitin 1992 bashkëshortja e tij vritet në Sarajevë. Dy vjet më pas vret veten vajza e tij 23 vjeçare Ana Mladiç, studente mjekësie në Universitetin e Beogradit dhe shumë e lidhur me të atin. E kjo dramë familjare është një prej pengjeve të ish-gjeneralit, i cili që ditët e para të burgimit kërkoi të shkojë në varrin e të bijës. Në atë kohë pati shumë versione mbi arsyet e gjestit ekstrem të Anës. Sipas disave vajza kishte rënë në depresion duke parë babin e saj të njollosur nga krime mizore. Një tjetër hipotezë është pamundësia e saj për t’i konsideruar armiq muslimanët, sepse pikërisht me një musliman kishte një lidhje të fortë personale.

Megjithëse më 25 korrik të vitit 1995 Gjykata e Hagës e paditi, me akuzat për gjenocid, pjesëmarrje në gjenocid, krime kundër njerëzimit , terrorizim dhe pengmarrje, Maldiç kishte një jetë normale në Beograd, ku frekuentonte lirisht restorantet, stadiumet dhe hotelet. Deri në mars të vitit 2001 kur arrestohet Slobodan Miloshevic.

Që atëherë rrethanat ndryshojnë. Ratko Mladiç fillon të jetojë i fshehur, megjithëse në vitin 2002  gazatari Paul Martin i BBC tregon një vilë në Beograd ku besohej se jetonte Mladiç. Më pas gazetari është bllokuar nga forcat e sigurisë, të cilat e ftojnë që mos të kthehet më aty.

Në vitin 2009 një video amatorial, i transmetuar nga një televizion boshnjak, tregon ish-gjeneralin në një resort dimëror mes të dëborës së bashku me dy persona që mendohet se janë gruaja dhe kunata e tij.

Liria e tij vazhdoi deri në një çast vendimtar për Serbinë, disa ditë para nxjerrjes së raportit të prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuar në Hagë. Në raport pritej të thuhej se Serbia nuk po bashkëpunon dhe ka injoruar thirrjet për kapjen e të dyshuarit kryesor për krime. Faktikisht ky raport do të bllokonte ëndrrën e Serbisë për të fituar statusin zyrtar të kandidatit për Bashkimin Evropian.

Njeriu që urdhëroi hedhjen e mijëra bombave mbi Srebrenicë, u kap, ose siç shprehen disa analistë, u dorëzua nga serbët, pa shkrehur asnjë plumb. Ai që e mendonte veten si “Perëndi” tani kërkon të lexojë në burg veprat e Tolstojit, Turgenievit e Gogolit. Nga ky i fundit ndoshta dëshiron të lexojë romanin “Shpirtra të vdekur”.

Piacenza. Dritan Malko në grevë urie. “Po na rrëmbejnë të ardhmen”

Kosovë – Serbi 2-0