in

Oketa thirrje emigrantëve: “Vetëm duke votuar mund të ndihmojmë vendin”

Gazmend Oketa, eksponent i Frymës së Re Demokratike, i nis letër të hapur shqiptarëve të mërguar duke i ftuar “të bëhen pjesë aktive e politikës shqiptare, në pamundësi udhëtimi në vendlindje, duke ndikuar te të afërmit” e tyre në atdhe. Ndryshe nga politikanë të tjerë që i kanë kërkuar për vete votën emigrantëve, ai shkon më tej dhe përpiqet të ndërgjegjësojë të gjithë mbi rëndësinë e votës, sepse “mospjesëmarrja në zgjedhje vetëm sa forcon ata që janë në pushtet, e cenon dhe e kufizon demokracinë, na bën të gjithëve më të varur prej atyre që përfaqësojnë pakicën qytetare”.
Nga ana tjetër, Oketa vlerëson rolin e emigrantëve në shoqërinë shqiptare: “keni përvojën, njohurinë, pavarësinë, edukatën, informacionin dhe gjithçka tjetër për të qenë qytetarë të lirë, qytetarët më të lirë të botës shqiptare”, shton se “në mënyrë paradoksale ky status i ri ju ka bërë juve të padëshiruar nga klasa e vjetër politike shqiptare” por harron që edhe ai vetë ka qenë deputet i PD-së deri vonë e nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë parlamentare për përfshirjen e vërtetë të emigrantëve në procesin zgjedhor.

Të dashur bashkatdhetarë,

Unë i përkas brezit të studentëve të vitit ’90, që ishte dëshmitar aktiv i ndryshimeve të mëdha politike në Shqipëri, por edhe dëshmitar i faktit se në ato vite një numër i madh qytetarësh, miqsh, kolegësh, bashkëmoshatarësh dhe të afërm e bashkë me ta dhe im vëlla, emigruan në kërkim të një jete më të mirë dhe më të sigurt.

Përgjatë 22 viteve ju punuat shumë, krijuat familje dhe miq të rinj, siguruat mbështetje financiare e morale për familjet tuaja këtu, u bëtë burimi kryesor i të ardhurave ekonomike për vendin, u integruat në shoqërinë përkatëse dhe u bëtë pjesë e tyre. Shumë prej jush morën profesione të reja, ia dolën të jenë të suksesshëm, u bënë shembull i modelit që duhet ndjekur, krijuat emër dhe respekt në biznesin e sipërmarrjen private, në art e sport, në kulturë dhe politikë, u bëtë mjekë, specialistë e teknikë të kërkuar, mësues dhe zëdhënës të një imazhi tjetër pozitiv për Shqipërinë e shqiptarët në botë.

Ju sot e keni përvojën, njohurinë, pavarësinë, edukatën, informacionin dhe gjithçka tjetër për të qenë qytetarë të lirë, qytetarët më të lirë të botës shqiptare. Në mënyrë paradoksale ky status i ri ju ka bërë juve të padëshiruar nga klasa e vjetër politike shqiptare. Ata nuk ju manipulojnë dot, nuk ju kontrollojnë dot, nuk ju shantazhojnë dot me vendin e punës, ndaj edhe kanë vendosur me konsensus t’ju lënë përsëri pa të drejtë votimi në zgjedhjet parlamentare në atdheun tuaj. Ata mund t’i ofrojnë sot disave prej jush ndonjë biletë falas në shkëmbim të votës politike, por pas zgjedhjeve ata do t’i rifitojnë paratë e dhuruara të udhëtimit përmes sistemit korruptiv e denigrues ndaj familjeve dhe të afërmve tuaj.

Sepse jeni të lirë, të pavarur, – pushteti dhe ndikimi juaj është sot dyfish më i madh. Këshilla juaj për familjet dhe të afërmit këtu është shumë e rëndësishme, për ti ndryshuar gjërat pozitivisht. Ndoshta ju sot dëshironi të ktheheni përsëri në atdhe, të keni garanci për investimet, kursimet, pronën, banesën, fëmijët, shkollën, shëndetin, udhëtimin. Sot kjo dëshirë vjen në kundërshtim me realitetin brenda politikës tonë vendimmarrëse. Sot institucionet shqiptare janë në pak duar të cilat kontrollojnë, komandojnë, sundojnë, dhe kështu, përbëjnë rrezik serioz për të ardhmen tonë të përbashkët, për vizionin e dëshirën tonë për një Shqipëri të zhvilluar, të integruar dhe evropiane.

Në këto rrethana, si qytetar, si politikan, si prind dhe si një prej jush, ju ftoj me përzemërsi të bëheni pjesë aktive e politikës shqiptare, – në pamundësi udhëtimi në vendlindje, – duke ndikuar direkt përmes bisedës dhe këshillës me të afërmit tuaj këtu. Thojuni ato që ju dini: çfarë është demokracia atje, si funksionon, çfarë dëshironi të ndryshoni në Shqipëri, thojuni pse korrupsioni është kërcënim, pse duhet që drejtësia të jetë e pavarur, pse kriza ekonomike mund të na dëmtojë shumëfish, pse nuk kemi më kohë për të humbur, cili është vizioni juaj për të ardhmen – sepse kam bindjen se të gjitha këto janë të pamundura të realizohen në kushtet e sundimit nga një ose disa parti klienteliste, nga partitë e vjetra të tranzicionit shqiptar.

Historia na mëson se njerëzimi nuk vuan nga dhuna apo keqqeverisja e disa të këqijve sesa vuan nga heshtja e të tjerëve që vështrojnë dhe nuk bëjnë asgjë. Sot një përqindje e konsiderueshme e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri janë të pavendosur për të votuar. Ata mendojnë se zhgënjimi dhe bojkoti e ndihmon demokracinë. Në fakt, mospjesëmarrja vetëm sa forcon ata që janë në pushtet, e cenon dhe e kufizon demokracinë, na bën të gjithëve më të varur prej atyre që përfaqësojnë pakicën qytetare.

Mjafton një telefonatë, një letër, një shkrim, një mesazh drejtuar të afërmve tuaj, që tu kërkoni të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit, ta peshojnë votën e tyre, të mos votojnë në mënyrë militante por qytetare, të lexojnë programet dhe të kërkojnë politikanët më qytetarë, më të ndershëm, më të pakurruptuar dhe ata që mbajnë premtimet! Kaq mjafton që 23 qershori të jetë dhe të bëhet një ditë e shans i ri për ne, për ju dhe për gjithë Shqipërinë!

Duke pasur besim tek mirëkuptimi juaj, duke ju respektuar për gjithçka keni bërë dhe duke ju parë si partnerë prioritare sot dhe në vitet e ardhshme, ju ftoj ta konsideroni me seriozitet dhe përgjegjësi këtë letër – mesazh, dhe ta lexoni ashtu siç është: një mesazh qytetar, një ftesë për të mirën e përbashkët, për familjet tuaja dhe për vendin, atdheun, shtetin dhe demokracinë tonë!

Sinqerisht
Gazmend Oketa

 

Abbiategrasso. Kapen vrasësit e Alban Medhës dhe Ndue Brukës

Lufton për jetë a vdekje 24-vjeçarja e rrahur egërsisht dhe e hedhur në plehra