in

Prato: Çdo katër ndërmarrje një është e huaj

Dhoma e Tregtisë e Pratos ka fotografuar situatën e sipërmarrjeve të huaja në provincë. Aktivitetet private të hapura nga persona të lindur jashtë shtetit, në fund të vitit 2009 përbëjnë 24% të të gjitha ndërmarrjeve aktive në provincë, ndërsa në fund të vitit 2008 përbënin 22%. Edhe kjo rritje në përqindje tregon dinamikën e zhvillimit më të theksuar për ndërmarrjet e huaja, në krahasim me ato të qytetarëve italianë. Ndër të gjithë dallohen kinezët, me 4.460 aktivitete private e menjëherë pas tyre, por shumë të distancuar shqiptarët me 574 ndërmarrje

Një e katërta e sipërmarrjeve në provincën e Prato-s janë të huaja. Vazhdojnë të shtohen me ritme të ndjeshme sipërmarrjet kineze, ndryshe nga ato italiane dhe të etnive të tjera. Është me pak fjalë kjo fotografia e bërë nga Raporti “Sipërmarrjet e huaja në Provincën e Pratos” i hartuar nga Dhoma e Tregtisë. Studimi përfshin të dhënat për vitin 2009 dhe për gjashtë muajt  e parë të vitit 2010.
Në fund të 2009 në Prato ka 7.019 sipërmarrje të huaja, 4.460 prej të cilave janë kineze, me një rritje prej +14,1%. Një shifër gati marramendëse po të mendohet që në përgjithsi sipërmarrjet në Prato janë shtuar në masën +1,1%.

Një prej të dhënave që bie në sy është palëvishmëria e sipërmarrjeve shqiptare të cilat mbeten 599 (+0,0% në 2009 kundrejt +9,8% të një viti më parë 2008). Janë të vetmet që nuk shënojnë as ngritje as ulje. Por vërehen disa ndryshime për sa i përket sektorëve ku ato veprojnë. Pjesa më e madhe e tyre (513) vazhdojnë të jenë të pranishme në sektorin e ndërtimeve, megjithëse dallohet një rënie e lehtë. Përbëjnë 85,54% të sipërmarrjeve shqiptare, kundrejt 86,64% që ishin në vitin 2008. Ky fenomen shpjegohet me pakësimin në përgjithsi të sipërmarrjeve në këtë sektor dhe kalimin e një pjese të tyre në sektorë të tjerë.

Në vitet e kaluara rritja e sipërmarrjeve shqiptare nw sektorin e tregtisë ka qenë shumë e madhe (+50,00% në vitin 2008 dhe +57,14% në 2007), gjë që nuk është përsëritur më pas. Sipas raportit të fundit nuk regjistrohen tëw njëjtat ritme, por rritja pwr vitin 2009 është vetëm +6,66%. E njëjta tendencë edhe në sektorin e shërbimeve me një rritje prej  +3,45%, kundrejt +20,83% në vitin 2008 dhe 33,30% në 2007. Atje ku sipërmarrësit shqiptarë kanë “shkëlqyer” është sektori i bar-restoranteve : +25,00%.

Një tjetër element shumë pozitiv është prania e grave sipërmarrëse, numri i të cilave nga 28 ka kaluar në 35.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Prato-s Carlo Longo komentoi raportin duke shpjeguar se “mund të prisnim që kriza dhe lufta kundër parregullsive do të shkaktonte një ndryshim të tendencës, gjë që nuk u vërtetua. Fakti është, përfundoi ai, që të huajt gjejnë në Prato një mjedis të favorshëm për ngritjen e sipërmarrjeve, ndërsa sipërmarrësit italianë kanë gjithnjë e më shumë frikë nga rreziqet”.

Irida Cami

Raporti mbi sipërmarrësit shqiptarë

Raporti i plotë

Edhe kinezët fusin Shqipërinë në listën e vendeve për t’u vizituar

Demonstrata homazh në mediat italiane