Riccardi, ministri i Kooperimit Ndërkombëtar dhe i Integrimit: “Italia ka nevojë për unitet”. Reagimet e para
Roma, 17 nëntor 2011 – Emërimi i një ministri për Integrimin në qeverinë që duhet të nxjerrë Italinë nga një prej çasteve më të vështira është sinjal i rëndësishëm, që duhet marrë në konsideratë bashkë me fjalët e para dy ditëve të presidentit Napolitano për brezat e dytë të imigrantëve. Duket se po hapet një stinë e re politike që sheh imigracionin si pasuri mbi të cilën duhet investojë, për të mirën e të gjithëve, të qytetarëve të rinj e të vjetër.
Atyre që dje e pyesnin nëse po niste një aventurë të re, ministri i sapoemëruar Andrea Riccardi u tha: “Të shpresojmë. Por ndoshta është aventura e vjetër që vazhdon”. “Për t’iu përgjigjur sfidave që Vendi ynë duhet të përballojë – shtoi – vihem në dispozicion, me bindje se Italia ka nevojë për unitet. Angazhimi për kohezionin shoqëror, për integrimin kombëtar dhe për kooperimin ndërkombëtar janë pjesë e kulturës sime dhe e eksperiencës që kam bërë gjatë viteve”.
“Vendimi i kryeministrit Monti për ngritjen e një ministrie për Integrimin dhe për emërimin në krye të saj të Andrea Riccardit përfaqëson një kthesë themelore, një sinjal që imigracioni, më në fund, konsiderohet një pasuri për Italinë” deklaroi Andrea Sarubbi (PD), nënshkrues i parë i tekstit të reformës transversale mbi shtetësinë, duke komentuar listën e ministrave të paraqitur nga kryeministri Monti. “Të rinjtë e shumtë me prejardhje të huaj, italianë de facto por jo ligjërisht, tani shohin një dritë në fund të tunelit. Siç kujtoi vetëm një ditë më parë presidenti Napolitano, konvergjencat parlamentare tashmë ekzistojnë: projekti i ligjit bipartizan që kam prezantuar bashkë me Fabio Granata (PdL), i shkruar me kontributin e Komunitetit të Sant’Egidios tw themeluar pikërisht nga profesor Riccardi, përfaqëson një rrugë tashmë të shtruar që, duke filluar nga nesër – përfundon Sarubbi – Parlamenti mund të përshkojë deri në fund”.
Presidenti i Acli-t, Andrea Olivero, nënvizon “novacionin” e emërimit të ministrit. “Një hap cilësor – shpjegon ai – vërtet i çmuar qoftë referuar personit të ngarkuar, Andrea Riccardi, qoftë referuar zgjedhjes së lidhjes së kooperimit ndërkombëtar dhe imigracionit, shenjë e një vizioni më në fund modern dhe evropian të proceseve migratore”.
Për “kthesë themelore” flet edhe Foad Aodi, president i Shoqatës së mjekëve me prejardhje të huaj dhe i Komunitetit të botës arabe në Itali. “Shpresojmë më në fund që të gjitha shoqatat e komunitetet e angazhuara në favor të dialogut ndërkulturor, ndër-fetar dhe në shkëmbimin shoqëror shëndetësor të mund të përfshihen, për të intensifikuar lidhjen me Institucionet dhe për të mos lënë pas dore punën e madhe që kryejnë çdo ditë nën formën e vullnetarizmit.
“Urime” Riccardit i arrijnë edhe nga Famiglia Cristiana. E përjavshmja e Kishës “përshëndet me kënaqësi të veçantë lindjen e një ministrie që është shenjë e rëndësishme vëmendjeje ndaj dy dukurive, integrimit dhe Kooperimit ndërkombëtar, që prej kohën kanë nevojë për mbështetje dhe udhëheqje”.
Edhe Save the Children shpreh “kënaqësi të madhe për zgjedhjen e ngritjes së Ministrisë për Kooperimin ndërkombëtar dhe Integrimin, të bindur që mund të ketë ardhur më në fund çasti, falë edhe njohurive dhe aftësive të Andrea Riccardit, të përballohet në mënyrë të re tema e solidaritetit ndërkombëtar dhe e mikpritjes së të huajve në Itali”.