Vlorë
Pas katër ditësh me reshje të vazhdueshme shiu, mëngjesi sot në gjirin detar të Vlorës ka nisur me diell. Në vazhdimësi moti do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë, rrjedhojë edhe e ardhjes së një fronti atmosferik me origjinë nga kuadrati i veriut.
Për rrjedhojë, vlerat minimale të temperaturave kanë shënuar rënie krahasuar me një ditë më parë, ndërkohë që e kundërta pritet të ndodhë me ato maksimale. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 8-10 gradë celsius dhe ato minimale nga 1-2 gradë celsius.
Policia e Vlorës u ka bërë dje thirrje qytetarëve për të evituar përkohësisht lëvizjet në aksin rrugor Orikum-Himarë, për shkak të problemeve të krijuara si pasojë e reshjeve të dëborës dhe akullit në Qafën e Llogorasë. Sipas policisë, rruga që përshkon Qafën e Llogorasë ka qenë e pakalueshme edhe me zinxhirë. “Drejtoria e Policisë së qarkut Vlorë dhe Njësitë Rajonale të Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë organizuar shërbime dhe janë në mbështetje të organeve përkatëse për zhbllokimin e tyre”, nënvizohej në komunikatën zyrtare të policisë lokale.
Reshjet e dëborës në Qafën e Llogorasë, 1.050 metra mbi nivelin e detit, nisën mbrëmjen e së hënës të kësaj jave dhe kanë vazhduar deri mbrëmë. Nga ana tjetër, vlerat e ulëta të temperaturave dhe era e ftohtë, kanë krijuar shtresa akulli në rrugë, duke e bërë të rrezikshme qarkullimin e automjeteve përgjatë saj.