in

Shqipëria në darën e të ftohtit polar

Në territorin shqiptar pritet të regjistrohet temperatura më e ulët, minus 14 gradë celcius, në zonat verilindore. Në Tiranë, temperatura e mëngjesit ditën e mërkurë parashikohet të jetë minus 3 gradë celcius.

Tiranë, 11 dhjetor 2012 – Të mërkurën (12 dhjetor) i gjithë vendi ynë do të përfshihet nga temperatura nën zero gradë ku vlera më e ulët do të shkojë deri në minus 14 gradë në zonat e thella malore.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteoalb, situata e motit do të ndryshojë në mesjavë si pasojë e mbërritjes në territorin shqiptar të masave të ftohta polare, të cilat kanë zbritur nga poli të veriut drejt gadishullit Skandinav prej dy ditësh. Mbrëmjen e së martës dhe ditën e mërkurë këto masa ajrore polare do të avancojnë drejt Evropës Qendrore dhe jugut të kontinentit, përkatësisht në gjithë Evropën Qendrore. Reshje bore intensive dhe temperatura ekstremisht të ulëta janë regjistruar në zonën e alpeve të Evropës, ku përfshihet veriu i Italisë Austria, Zvicra, jugu i Gjermanisë dhe një pjesë e Francës.  

Meteorologia, Tanja Porja, tha në një prononcim se, i ftohti polar pritet të qëndroj për tre ditët në vazhdim në pellgun e Mesdheut qendror ku përfshihet Italia dhe gadishulli i Ballkanit. Në këto kushte, gadishulli i Ballkanit parashikohet të përfshihet nga një mot kryesisht i kthjellët, por me temperatura ekstremisht të ulëta.

Në territorin shqiptar pritet të regjistrohet temperatura më e ulët, minus 14 gradë celcius, në zonat verilindore. Në Tiranë, temperatura e mëngjesit ditën e mërkurë parashikohet të jetë minus 3 gradë celcius.

Vetëm në pjesën e bregdetit shqiptar, kryesisht riviera shqiptare, temperatura më e ulët minimale parashikohet të jetë 0 gradë celcius, ndërsa në zonat bregdetare të Adriatikut temperatura minimale pritet të arrij nga minus 1 në minus 3 gradë celcius.

Si pasojë e këtyre temperaturave ekstreme, rrugët do të mbulohen nga ngricat e akujt gjë që rrezikon të vështirësojë qarkullimin e mjeteve.

Sipas Meteoalb kushte të tilla atmosferike janë tepër të veçanta për Shqipërinë dhe ato ndodhin vetëm në 4% të 365 ditëve të vitit e kryesisht në muajt janar e shkurt, por duket se këtë herë ato kanë mbërritur më herët se vitet e tjera.

Ndërkaq, Shtabi i emergjencave civile në prefekturën e Kukësit,  ka kërkuar të martën  marrjen e masave nga të gjitha institucionet shtetërore për përballimin e situatës së krijuar, e cila sa vjen e rëndohet.

Më problematike, situata paraqitet në Tropojë, ku edhe energjia elektrike ndërpritet vazhdimisht, për shkak të defekteve në rrjet. 

Ndërsa reshjet e dendura të dëborës po vazhdojnë pa ndërprerje nga mesnata e djeshme, situata në qarkullimin e mjeteve në pjesën më të madhe të rrugëve është vështirësuar. Vëmëndje më e madhe nga shërbimet e emergjencave i është kushtuar akseve nacionale.

Në rajonin verilindor, temperaturat e ajrit sot variojnë nga minus 7, në 2 gradë celcius.

 

Klajdi Sahatçiu, nga La Scala në Zyrih me një violionë Stradivarius

Italia nuk është vend për fëmijët