in

S’ka shtëpi për imigrantët në provincën e Brescias

Vendim i Komunës së Ghedi-t (Brescia). Cgil: “Është diskriminim”. Edhe Unar hedh poshtë vendimin e kryebashkiakut legist

Romë, 24 janar 2011 – Vazhdojnë të ngjallin polemika vendimet e drejtuesve legiste në komunat e zonës së Brescia.

Pas skandaleve “White Christmas” (kontrollet shtëpi më shtëpi për të gjetur klandestinët), “UFO” (dorezat në linjat e autobusëve të frekuentuara më shumë nga emigrantët) dhe detyrimit të “mbylljes para orarit të dyqaneve të të  huajve”, këtë herë e kanë radhën shtëpitë e komunës.

Akuza këtë herë ka të bëjë me një vendim të këshillit komunal të Ghedi, një komunë e Brescias me rreth 18 mijë banorë e cila ka aprovuar një rregullore të re që praktikisht ndalon dhënien e shtëpive popullore të komunës për të huajt.

Me këtë vendim, këshilli komunal, ku shumicën e ka Lega, ka ndërhyrë duke ndryshuar një rregullore lidhur me kushtet për dhënien e shtëpive më qira “me një çmim equo canone” për shtresat më në nevojë: invalidët, çiftet e reja, persona më të ardhura të pakta.

Siç lexohet në tekstin e vendimit, të vetmit që do të mund të përfitojnë nga dhënia e shtëpive të komunës, janë shtetasit italianë që kanë rezidencën në territorin e Ghedi-t dhe që janë subjekte me të ardhura të pakta, duke përjashtuar kështu kategorikisht emigrantët, të cilët nuk kanë mundësi të paraqesin kërkesë.

Vendimi i kryebashkiakut legist Lorenzo Borzi, u kundërshtua menjëherë nga Cgil (Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës) e Brescias e cila madje e çoi këtë rast në UNAR, Zyrën kombëtare kundër diskriminimeve raciale, të ngritur pranë Ministrisë për të drejta të barabarta.

Para pak ditësh kjo zyrë u shpreh duke dhënë një gjykim negativ, duke e dënuar vendimin e Komunës si një akt diskriminues.

Vajza që po humb nurin

Karta e qëndrimit: ja kopja e testit të italishtes