in

Skënderbeu dhe Gjuha e Albanëve në Zvicër

Promovohen librat “Gjuha e Albanëve ose e Shkipëtarëve” (1835) i albanologut gjerman J. R. von Xylander dhe “Skënderbeu Mbreti i Epirit” (1544) me autor Bernardino de Bidoni
Reportazh nga Petrit Aliaj

 

Në vazhdim të festimeve për vitin jubilar të Skënderbeut, Organizata mbarëkombëtare “Lobi Euro-Atlantik Shqiptar” në programin e saj ka planifikuar edhe realizimin e një seri aktivitetesh me degët që në Belgjikë, Zvicër, Greqi, Itali, Norvegji e Gjermani”. Kështu u shpreh ndër të tjera në përshëndetjen e tij kryetari i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, Shukri Ymeri.

Konkretisht me 26 maj 2018 ora 17.00, në bashkëpunim me ambasadën e Republikës së Kosovës në Zvicër e nën përkujdesjen e ambasadores Nazane Breca, u realizuan dy promovime librash me vlera të mëdha historike: “Gjuha e Albanëve ose e Shkipëtarëve” të albanologut gjerman J. R. von Xylander i shkruar në gjermanishten e vjetër (1835) dhe “Skënderbeu Mbreti i Epirit” me autor Bernardino de Bidoni në gjuhën e Italishtes vulgare (1544). Të dy librat janë përkthime brilante të studiuesve tanë të apasionuar Frida Vokopola dhe Albert Gjoka të cilët mund t’i quaj me plot gojën “endacakë të guximshëm në kërkim të së vërtetës”.

Në vazhdimësi i ngarkuari i ambasadës së Kosovës, këshilltari Mustaf Xhemaili ia kaloi fjalën e përshëndetjes ambasadorëve që na nderuan me praninë e tyre.

Për Shqipërinë përshëndeti ambasadori Ilir Gjoni me të cilin patëm kënaqësinë të shkëmbenim disa mundësi bashkëpunimi në kuadër të viti jubilar të Skënderbeut.          

Ndërsa për Maqedoninë përshëndeti ambasadori i kësaj republike Ramadan Nazifi. Ata vlerësuan me shumë konsiderata punimet e studiuesve tanë së bashku me përgëzimet për publikun të ardhur nga Berna, Zurih. Basel, Friburg, Lucerna, Biena, Winterthur e nga shtete të ndryshme të Europës.

Ndër të shumtët ishin edhe aktivistët e degës së Lobit në Zvicër të cilët përfaqësoheshin nga Sutki Z. Hulaj, anëtar i kryesisë qendrore dhe n/kryetar i kësaj dege.

Nga Belgjika ishte Skënder Musliu si zëdhënës i kryesisë së Lobit E.A.SH, dhe Meti Belaj, kryetar i degës për Belgjikën dhe n/kryetar i përgjithshëm i L.E.A.SH.

Së bashku me ta na nderonte me pjesëmarrjen e tij edhe shkrimtari e poeti, miku ynë, Jusuf Zenunaj.

Për pjesëmarrjen e përfaqësuseve nga Italia duhet të përmend Marsela Koçin si gazetare dhe kryetare e degës së Lobit në Itali së bashku me Klodi Paskun, Marta Dollën, Ali Fazlliun, Arjan Shehajn dhe Myftar Gjonbalaj i cili bëri edhe vlerësimin (recensionin) e këtij libri me të dhëna historike për Skënderbeun. Ai në mbarim të vlerësimit recitoi për të pranishmit një poezi të tijën mjaft të bukur, dedikuar heroit tonë kombëtar Gj. K. Skënderbeu.

Me këtë rast, dua të falenderoj miqtë tanë Frida Vokopola e Alfred Gjoka të cilët ma besuan mua përgatitjen e vlerësimit në mënyrë modeste të punës së tyre për librin “Gjuha e Albanëve ose e Shkipëtarëve”(Botimi i dytë). Fakti që ky libër në pak kohë është i kërkuar nga shumë lexues të interesuar që ta kenë në dorë, jo vetëm e lartëson gjuhën tonë por e bën më imperative mbrojtjen e saj, mësimin dhe përhapjen në të gjithë diasporën, mbasi koha, ngjarjet dhe njerzit tashmë favorizojnë ndërmarrjen e veprimeve të tilla.

Kërshëria e pjesëmarrësve në këto dy promovime, solli bashkë me interesimin edhe një seri pyetjesh me karakter edhe pak kurioz të cilat gjenin përgjigje në shpjegimet kohore-shkencore të studiuesve tanë Frida dhe Albert. Në fund, krahas përgëzimeve dhe falënderimeve për organizuesit, bashkëpunimin e pjesëmarrësit, Frida dhe Alberti, premtuan se nuk do të ndalen në kërkimet e tyre duke hulumtuar në bibliotekat e ndryshme të disa vendeve evropiane.

Sipas autorëve, paraqitja e këtyre dy librave lexuesve, por edhe i të tjerëve të cilët i kanë në përfundim e sipër, janë si drita që sjellin  prova dokumentare për mjaft studiues në trajtimin e literaturës historike e në veçanti për studentët që merren me lëvrimin e gjuhës shqipe.

Në fund të këtij takimi mbresëlënës një koktejl i pregatitur me këtë rast, na krijoi mundësinë të shkëmbenim njohjet tona të reja e sigurisht edhe një bisedë të përzemërt me Nazane Breca, gjatë të cilës nuk munguan shkëmbimet e kartëvizitave të ndjekura me fiksimet e kujtimeve të kësaj mbrëmje mjaft të bukur në fotografitë e përbashkëta.

Berna, 26.05.2018

 

“L’Albania fa parte della mia vita presente e futura, non la lascio mai più”

La passione per l’Albania e “Xhamadani vija vija” di Dario Polvara